Një bazë ajrore siriane goditet nga sulmet izraelite, Turqia e dënon rastin
Izraeli bombardoi një bazë ajrore në Siri të martën, thanë mediat shtetërore siriane, duke e kryer atë që u duk si sulmi i parë ndaj aseteve qeveritare siriane nga marsi, duke e nxitur dënimin nga Turqia dhe kritikat nga një emisar amerikan që rastin e cilësoi “përshkallëzim i panevojshëm”.
Duke cituar një burim ushtarak, mediumi shtetëror sirian, “Ekhbariya”, tha se Izraeli kreu tetë sulme në pistën dhe objektet e depove në bazën “Abu al-Duhur”, ndërsa një burim tjetër ushtarak dhe një civil që jeton afër bazës thanë se nuk pati viktima. Ushtria izraelite refuzoi që t’i komentonte sulmet, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Sirisë nuk u përgjigj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar se sulmet ajrore izraelite të konfirmuara ndaj bazës ajrore “Abu al-Duhur” përbëjnë një përshkallëzim të panevojshëm që nuk e avancon stabilitetin rajonal” – tha në rrjetin X ambasadori Tom Barrack, emisar i posaçëm presidencial i ShBA-së për Sirinë dhe Irakun.
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Assad al-Shibani, bëri thirrje që sulmet të ndalen, duke thënë se Izraeli duhet ta rillogarisë pozicionin e vet ndaj Sirisë, sepse, përmes sulmeve të veta, nuk ballafaqohet vetëm me Damaskun, por edhe me aleatët e tij.
Ministria e Jashtme e Turqisë i dënoi fuqishëm sulmet, për të cilat tha se i shkelin unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë një qëndrim më vendimtar për t’i dhënë fund agresionit në përshkallëzim të Izraelit kundër Sirisë” – tha kjo ministri në një deklaratë.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Turqia ishte e përfshirë në rinovimin e bazës, por Ankaraja ka thënë se ishte duke e ndihmuar Damaskun në mbarë vendin.