Lexojeni këtë arsyetim qesharak dhe banal të ministres Haxhiu për anulimin e vizitës në Amerikë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pretenduar se bashkarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur që vizita e saj të shtyhet për një kohë më të përshtatshme.
Haxhiu në Facebook, pas raportimeve të mediave, ka bërë një reagim që mund të konsiderohet qesharak e banal, duke thënë se të mërkurën pati nëj diskutim me “zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-së”, rreth ftesës së tyre për vizitë.
“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka thënë ajo.
Veç kësaj, ministrja e Qeverisë Kurti II, po pretendon se “lajmi se i është refuzuar viza”, nuk është i vërtetë.
“Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta.Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t'ua kumtojmë me kohë”, thuhet tutje në reagimin e Haxhiut.
Çka raportoi Nacionale?
Nacionale pak më herët raportoi se Haxhiu do ta ketë të pamundur udhëtimin përtej oqeanit, ashtu siç e kishte planifikuar.
Këtë ka arritur ta mësojë Nacionale përmes burimeve të veta.
"Ministrja Haxhiu tashmë është njoftuar nga ne për pamundësinë që ajo të udhëtojë. Kjo është bërë vetëm para pak çastesh", tha një burim pranë Ambasadës Amerikane për Nacionalen.
Ky refuzim i vizës vie pas kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve ndërkombëtare për shtyrje të vendimit për targa, vendim ky që ka prodhuar zhvillimet e fundit.
Në anën tjetër, ishte Reporteri.net, që jo shumë kohë më parë shkroi rreth kësaj çështjeje.
Sipas mediumit gjegjës, ambasadori Hovenier në një takim me gazetarë ka folur rreth kërkesës së Haxhiut për vizë, duke shtuar se një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë".
Veç kësaj ai shtoi se momentalisht nuk është koha për të udhëtuar, kjo për shkak të krizës në të cilën gjendet vendi.
"Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”
