Këshilltari në administratën Biden ndan zhgënjimin ndaj Kosovës edhe me Serbinë - NACIONALE

Këshilltari në administratën Biden ndan zhgënjimin ndaj Kosovës edhe me Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari special amerikan, Derek Chollet ka biseduar në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë bisedë telefonike, Chollet shprehu zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës sa i përket vendimit për targa.

Këtë e pranoi vet ai përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter".

Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit. Diskutuam përkushtimin tonë për të ulur tensionet, për dialogun e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe avancimin në rrugën euro-integrimit për Serbinë”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Po sot, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripërsëritur atë se Kosova duhet t’i përfillë kërkesat perëndimore për çështjen e targave dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërkohë që Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.

Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Vazhdimisht

Deklaratat e ditës nuk janë të vetmet. Faktorët ndërkombëtarë, në veçanti ata amerikanë tash e sa kohë po bëjnë thirrje për shtyrje të vendimit për targat.

Ishte vet zëdhënësi i DASh-it, Ned Price, që në një intervistë për "thepavlovictoday" ritheksoi faktin se Sekretari Blinken, njeriu i tretë i shtetit më të fortë në rruzull, kërkon hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit.

"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi", tha fillimisht Price për mediumin respektiv.

"Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme në rreziqe të panevojshme. Jo veç ata, edhe forcat paqeruajtëse rrezikohen në situata të tilla", paralajmëroi tutje Price.

Veç dialogu

Pas zhvillimeve që i parapriu protesta e serbëve në veri, si kundërshtim ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për përjashtimin e Nenad Gjuriq, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pati reagime të shumta.

Një prej tyre ishte edhe i Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Spanjolli kërkoi nga palët që t'i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara në Bruksel, kurse serbëve u bëri thirrje që t'u kthehen pozitave që i ushtronin deri më tani.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhej ndër të tjerash.

Lajme të ngjashme