"Garancionet e sigurisë, Asociacioni, partnerët e rinj” – çka tha dje Gabriel Escobar i ShBA-së - NACIONALE

"Garancionet e sigurisë, Asociacioni, partnerët e rinj” – çka tha dje Gabriel Escobar i ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka folur përsëri. Natyrisht, si gjithnjë për shmë tema. Ndonëse nuk foli shumë për detajet për takimin më kryeministrin Albin Kurti, Escobar tregoi edhe një herë të gjitha qëndrimet e Departamentit amerikan të Shtetit.

Por dy qenë kryetemat e tij. Escobar ofroi siguri për Kosovën kundrejt kërcënimeve për “rikthimin” e ushtrisë serbe, ripohoi kërkesën për themelimin e Asociacionit, duke “paralajmëruar” për kërkimin e aleatëve të rinj për ta themeluar atë, nëse këtë refuzon ta bëjë Qeveria Kurti.

Megjithatë, sipas Escobarit, Asociacioni nuk do të shndërrohet asnjëherë në një Republikë Serbe të stilit të Bosnjës.

Por Escobar e rikonfirmoi mbështetjen për planin franko-gjerman, drafti i fundit i të cilit pritet të mbëri shpejt në Kosovë.

Garancia

Por kryefjala e krejt deklarimit të tij ishte garancia e fortë e sigurisë që i dërguari i ShBA-së ofroi për Kosovën. Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë (REL), Escobar i komentoi deklarimet e Serbisë rreth kërkesës së saj për rithkimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ai tha se ShBA nuk e pret një rithkim të ushtrisë së Serbisë, duke theksuar se e kundërshton një gjë të tillë në mënyrë kategorike.

Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – deklaroi z. Escobar në intervistën për REL.

E pyetur nga intervistuesja se si do të ishte veprimi i ShBA-së nëse do të ndodhte një gjë e tillë, z. Escboar ishte qartazi i prerë.

E para, këtë nuk e pres. E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR.” – tha tutje ai.

Kërkesa

Përveç garancisë për sigurinë e Kosovës, z. Escobar kishte edhe një kërkesë, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kohë që e kanë shtruar. Ai e përsëriti nevojën për themelimin e Asociacionit të Kosovës, për të cilën gjë “duhet të punohet menjëherë”.

Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – vlerësoi ai për REL-in.

Madje nëse në procesin e themelimit nuk përfshihet Qeveria e Kosovës, atëherë z. Escobar paralajmëroi "diskutim me partnerë aletnativë".

Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.

8Escboar komentoi edhe frikërat e njerëzve se Aasociacioni mund të shndërrohet në një Republikë Serbe e llojit të Bosnjes, duke e paralizuar funksionimin e shtetit kosovar.

Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”. – theksoi ai.

Ai tregoi se Asociacioni duhet t’i shërbejë si platformë për të përmirësuar marrëdhëniet ndër-etnike.

Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.” – sqaroi Escobar.

Tensionet…vizita te Vuçiq

Escobar kërkoi edhe uljen e tensioneve në veri të vendit dhe përmbajtjen e palëve nga përshkallëzimi i situatës. Tutje, emisari special amerikan theksoi se duhet të punohen për planin franko-gjerman.

Shpresoj qe presionet mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojnë shumë shpejt, e mbështesim planin franko-gjerman.” – shtoi Escobar.

Ai deklaroi se tensionet duhet të ulen, duke theksuar se duhet të gjindet një zgjidhje.

Pata një takim të veçantë me kryeministrin Kurti, nuk mund të tregoj detaje, sepse kjo është në mes të misionit tim, do të shkojë edhe në Beograd. Sot më vonë do të takohem me misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it. Duhet të gjejmë zgjidhje, nuk është mirë. Nuk mund të presim gjëra të këqija të ndodhin, tensionet nuk e ndihmojnë askënd.” – tha ai.

Pas vizitës së djeshme në Kosovë, Escobar sot pritet të takohet me Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Ndryshe, siç ka raportuar Nacionale bazuar në burimet e saj, e shtunja e 17 dhjetorit do të jetë data e ardhjes së draftit përfundimtar të planit franko-gjerman.

Lajme të ngjashme