Pretendohet se është publikuar një draft i ri i planit franko-gjerman - NACIONALE

Pretendohet se është publikuar një draft i ri i planit franko-gjerman

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Klan Kosova ka publikuar një draft, për të cilin po pretendon se është ai i planit franko-gjerman dhe i cili përmban 10 pika, apo nene. Ky tekst, duket i ngjashëm - për të mos thënë i njëjtë - me atë të publikuar nga mediumi "Euroactiv", para disa javësh.

Siç raportohet, kjo është një marrëveshje themelore ndërmjet të të dyja vendeve.

Pika e parë, thotë se palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, mbi bazën e të drejtave të barabarta, dhe do t’i njohjin dokumentet përkatëse e simbolet kombëtare të njëra tjetrës.

Pika e dytë, thotë se palët do të udhëhiqen nga parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, për të drejtat sovrane, respektimin e pavarësisë, autonomisë, integritetit territorial, të drejtës për vetëvendosje dhe mbrojtjen e njeriut, të drejtat dhe mosdiskriminimin.

“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forces”, thuhet në pikën e tretë të dokumentit, për të cilin Klan Kosova po thotë se është ai i planit-franko gjerman.

Sipas pikës së katërt, palët nuk mund ta përfaqësojnë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojnë në emër të saj.

Po ashtu, theksohet qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.

“Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian”, thuhet ndërkaq në pikën e pestë.

Sipas nenit gjashtë, të dyja palët do ta vazhdojnë procesin e dialogut, që çon në një marrëveshje finale, dhe bien dakord për themelimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Pika shtatë, thotë se palet do të jenë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve konkrete, dhe po ashtu, do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

“Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas”, thotë pika e tetë.

Sipas pikës së nëntë, palët do të theksojnë përkushtimin e Bashkimit Evropian dhe donatërorëve të tjerë, të krijuar në një paketë të veçantë për ndihmë në projekte të përbashkëta.

“Palët do të formojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për të monitoruar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.Të dyja palët konfirmojnë përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjithë dialogjeve të kaluara”, thotë pika e fundit, sipas këtij drafti.

Një draft të ngjajshëm, e kishte publikuar më herët edhe medium “Euroactiv”, që merret me çështje të Bashkimit Evropian.

Ndonëse përmbante 9 pika, është i ngjajshëm me ata që u publikua sot.

Propozimi përkrahet edhe nga 27 vendet e BE-së

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borell dje në një konferencë për media, tha se shtetet anëtare të BE-së e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për incidentet në veri, ai përmendi se ekziston një propozim për të dy liderët, në këtë rast kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së”, ka thënë Borrell.

Lajme të ngjashme