A i ndryshoi fjalët Glauk Konjufca për planin franko-gjerman?
Propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë tash e sa muaj është ndër temat kryesore dhe më të diskutuara në Kosovë. Publikimi i këtij propozimi nga REL-i e në të cilin nuk parashihet njohja e ndërsjellë, ka bërë që të lëvizin edhe qëndrimet e deklarimet e politikanëve. Kjo gjë duket se i ndodhi edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Tashmë të gjithë kemi parë se çka përmban propozimi franko-gjerman, më anë të së cilit Franca e Gjermania, bashkë me Bashkimin Evropian, po synojnë që të ofrojnë një zgjidhje që do të çonte te marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas propozimit franko-gjerman, të publikuar nga REL-i, askund nuk përmendet njohja e ndërsjellë, pikë që kërkohet vazhdimisht nga krerët e shtetit.
“Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane”- ka raportuar REL-i.
Bile vetë ata kishin thënë në fillim të diskutimeve se ky propozim është i mirë për Kosovën dhe se përmban njohje të ndërsjellë.
Por tashmë, kur raportohet se propozimi nuk përmban njohje të ndërsjellë, politikanë duket se i kanë ndryshuar edhe deklaratat.
Çfarë ndodhi me kryetarin Konjufca?
Në njërën ndër paraqitjet e tij në Klan Kosova, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, foli për herë të parë për propozimin franko-gjerman. Bile ai dha shumë hollësi, saqë e çuditi edhe autorin e emisionit.
Konjufca në këtë intervistë kishte thënë se, në thelb, ky propozim e parasheh njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo, nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i kemi vërejtjet tona, po nëse ai është fruti, e ka një bërthamë, e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellë Kosova me Serbinë”- kishte thënë Konjufca.
“Tash, kur Serbia po e sheh që po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan i cili, në thelb, nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heqë dorë nga pretendimet e saj një herë e përgjithmonë ndaj Kosovës. Esenca është kjo”- pati thënë Konjufca në Klan Kosova.
Deri në paraqitjen e fundit të tij para medieve, sipas tij, plani franko-gjerman e parashihnte këtë pikë, pra njohjen e ndërsjellë.
Mirëpo kjo gjë ndryshoi të hënën e 12 dhjetorit, kur Konjufca para gazetarëve nuk e përmendi njohjen e ndërsjellë, por vetëm theksoi se “de fakto” ky plan e ka njohjen e Kosovës nga Serbia.
Fjala de fakto nënkupton që praktikisht do të ketë njohje, por jo ligjërisht, ashtu siç i duhet Kosovës njohja nga Serbia.
“Ky plan, në bërthamën e vet, në qendër të vet, e ka njohjen de-fakto të Kosovës nga ana e Serbisë. Unë edhe këto veprime tash të fundit që po i bën Serbia, i shoh të lidhura me këto procese politike, sepse qëllimi i këtyre veprimeve që i shohim, është që ta pamundësojnë hapjen e këtij kapitulli përfundimtar”- ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të hënën në Shkup.
Aneks shtesë për planin franko-gjerman
Gjithashtu, ditë më parë, kryetari Konjufca bëri të ditur se tash Kosovës i është dorëzuar edhe një aneks shtesë i planit franko-gjerman që e parasheh zbatimin e këtij plani dhe se ky plan ka disa ndryshime.
Konjufca ka thënë se plani ka ndryshime, por, sipas tij, jo substanciale, por minore.
“Plani franko-gjerman nuk ka ndryshim substancial, ndryshimet janë minore, substanciale, është një plan tjetër që ka ardhë si aneks, që nuk është plani politik, por i zbatimit, i zbatimit të cilin do të ulemi në detaje ta analizojmë me kryeministrin”- ka thënë ai.
“Ka ardhë një version me ndryshime të vogla, i asaj që ka thënë politika, por një diçka krejt tjetër që është me faza zbatimi, është dokument tjetër. Nuk ka arsye për me u shqetësu, Kosova është shtet i pavarur…”- ka thënë ai.
Nuk dihet se kur pritet të diskutohet në Bruksel për këtë plan, por ajo që dihet është se në Kosovë gjithmonë është kërkuar që mes Kosovës dhe Serbisë të ketë njohje të ndërsjellë.



