Çka thoshin Osmani, Kurti e Konjufca për planin franko-gjerman? - NACIONALE

Çka thoshin Osmani, Kurti e Konjufca për planin franko-gjerman?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Propozimi franko-gjerman dhe këmbëngulja e kryeministrit Albin Kurti rreth këtij plani dhe jo për çështjen e targave, u tha se ishte njëra nga arsyet që çuan drejt mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit 8-orësh të së hënës në Bruksel mes Kurtir dhe Vuçiqit. Sidoqoftë, çfarë kishin deklaruar më parë udhëheqësit për këtë plan?

Ka disa muaj që flitet për planin franko-gjerman, me anë të së cilit synohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, zyrtarisht, asnjëherë nuk janë publikuar pikat e këtij plani. Megjithatë, udhëheqësit e vendit herë pas here kishin treguar se çka mendojnë për të.

Vjosa Osmani

Në fillim, kur nisi të përmendej plani franko-gjerman, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte thënë se ka dezinformata për atë se çfarë po kërkojnë partnerët tanë.

Nuk ka propozuar askush që të pritet për marrëveshje për dhjetë vjet, kështu që ka lloj-lloj insinuatash, dezinformatash lidhur me atë se çfarë po kërkojnë partnerët tanë prej nesh”- kishte thënë Osmani për Kosovapress.

Por, disa ditë më pas, Osmani kishte thënë se nuk e ka mohuar ekzistimin e këtij plani.

Në fakt, asnjëherë nuk e kam mohuar, ky është një konstatim i gabuar. Në çdo deklaratë kam thënë se ekziston një deklaratë franko-gjermane. Do të ketë takime në mënyrë që detajet e kësaj inicaitive, që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon, të shpjegohen më në detaje”- kishte thënë Osmani.

Ndërsa, tash së fundi, Osmani ka thënë se se Berlini dhe Parisi duan që çështjet t’i diskutojnë në kuadër të një dokumenti të vetëm dhe jo të ndara veç e veç.

Albin Kurti

Para dy javëve, ishte hera e parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se ekziston një plan franko-gjerman dhe i cili nuk është refuzuar nga Kosova.

Kryeministri Kurti në konferencë për medie kishte deklaruar se situata në veri është krijuar, pasi Serbia e ka kundërshtuar planin teksa, sipas tij, për Kosovën është “hap në drejtim të duhur”.

Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse konceptet që aty përdoren, janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi tek ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur"- kishte thënë Kurti.

Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë), por më 18 gusht, pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhur në zyrën time, këtu, përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez."

Por Kurti ka pasur edhe vërejtje për planin franko-gjerman.

“...ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, ua kam thënë edhe atyre. Por unë nuk e kam kundërshtuar”- kishte thënë Kurti, i cili në takimin e fundit në Bruksel ka kërkuar që të fillojnë bisedimet për këtë plan.

Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca, kishte dhënë më shumë hollësi rreth këtij plani. Ai në "Klan Kosova" kishte thënë se baza e planit franko-gjerman është bazë e shëndoshë dhe se nuk duhet refuzuar.

Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo: nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i kemi vërejtjet tona, po nëse ai është fruti, e ka një bërthamë, e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellë Kosova me Serbinë”- ka thënë Konjufca.

Baza e tij është një bazë e shëndoshë për ecje përpara, për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshjeje, që është thelbi i kësaj marrëveshjeje. Që nga shtatori, kur e kam parë, mendoj se nuk e kemi luksin ta refuzojmë. Plani ndërtohet mbi tri principe: Është e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”- kishte thënë Konjufca.

8 orë takim Kurti - Vuçiq - Borell

Të hënën u mbajt një takim Kurti - Vuçiq - Borell, i cili zgjati rreth 8 orë, por përfundoi pa ndonjë marrëveshje rreth çështjes së targave.

Pas takimit, kryediplomati Borrell pati një reagim të ashpër, kur i la fajtore të dyja palët për situatën derisa i përmendi edhe sjelljet e palës nga Kosova.

Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren, do të jetë e madhe…Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”- tha ai.

Kurti, ndërkaq, e akuzoi përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, se ka hequr dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve.

E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel për t'u marrë vesh drejt një ecjeje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që përfqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afat, marsi 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve” – tha Kurti.

Sot është raportuar se mund të ketë një takim mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje për targat.

Lajme të ngjashme