REL: Sot në Bruksel takohen Bislimi e Petkoviq - NACIONALE

REL: Sot në Bruksel takohen Bislimi e Petkoviq

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Sot në Bruksel do të ketë takim mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë - Serbi.

Siç raporton REL, Bislimi e Petkoviq do të takohen për të gjetur zgjidhje rreth ngërçit të krijuar së fundi.

Për takimin e konsideruar urgjent, palët kanë pranuar të ulen dhe të diskutojnë mundësinë për zgjidhje.

Mos arritja e marrëveshjes para dy ditësh ka rritur angazhimet e ndërkombëtarëve për të mbyllur njëherë e mirë këtë çështje, ndaj së cilës kishin rezerva.

Sipas tyre, çështja e targave prodhon tension, andaj palët duhet të tregon konstruktive për të arritur deri te marrëveshja.

Ishte vet kryediplomati evropian, Josep Borrell që hodhi kritika të shumta ndaj palës kosovare.

Këto kritika ishin për destruktivitet, pasi sipas tij, Serbia pranoi propozimin e BE-së, kurse Kosova jo.

Kryeministri i Republikës së Kosovës ndërkaq, Albin Kurti pat deklaruar që Kosova e ka të pamundur të pranojë një propozim ku thuhet që Kosova mos të shqiptojë gjoba.

Pjesë e propozimit gjithashtu ishte edhe kërkesa për Serbinë që mos të lëshojë më targa të atilla.

Kujtojmë, faza e gjobitjes ndaj shoferëve që bartin targa ilegale është dashur të fillojë sot në ora 08:00 të mëngjesit, megjithatë me kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, fillimi i kësaj faze është shtyer për 48 orë.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”, shkroi ai në rrjetin social "Twitter".

I shpejtë ishte reagimi i kryeministrit Kurti, që përmes rrjetit identik social, i ktheu përgjigje, me ç'rast ia konfirmoi se një propozim i tillë është i pranueshëm për shefin e ekzekutivit kosovar.

"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme", shkroi ndër të tjerash kreu i qeverisë.

Anti-Borrell

Krerët shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, hodhën kritika ndaj shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Vjosa Osmani, duke shfrytëzuar rrjetin social "Facebook", tha se spanjolli gjatë takimit të djeshëm ishte i anshëm dhe si i tillë neutral, çfarë do duhej të ishte, do t'ia përmendte Serbisë marrëveshjet që s'i ka respektuar.

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën", kishte shkruar ndër të tjerash Osmani.

Goxha kritik ishte edhe Kurti.

Kryeministri, përmes një deklarate tha se gabimi i Borrellit është tejet i madh, pasi hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ne jemi optimist dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve, e liderët, unë si kryeministër i Kosovës dhe Vuçiq si president i Serbsië, të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”, ka thënë Kurti për gazetarë gjatë një vizite të martën në Prizren.

Lajme të ngjashme