Deklarohet Kurti: BE-ja hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Edhe kryeministri Kurti ka thënë fjalën e tij për takimin e gjatë që kishte me presidentin serb Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Fillimisht, publiku u informua se nuk kishte marrëveshje nga ana e Aleksandër Vuçiqit që u shpreh se “na prisnin netë pa gjumë” mes tjerash, në një retorikë nxitëse. Ai kishte thënë se nuk ishte arritur marrëveshje, duke lënë të nënkuptohej se bisedimet kishin dështuar.
Fatkeqësisht, një gjë e tillë u konfirmua edhe nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, që akuzoi të dyja palët e në veçanti Kosovën për atë që kishte ndodhur.
Në disa prej deklaratave të tij më të ashpra, dhe më alarmantet, ishte kur tha se Vuçiq kishte pranuar propozimin e tij por jo edhe Kurti.
“Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren do të jetë e madhe,” – tha mes tjerash Borrell.
Ai u shpreh edhe se do të informonte për sjelljet e palëve, e në veçanti të Kosovës, partnerët dhe shtetet anëtare të BE-së.
Por, çka tha Kurti?
“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve.” – tha fillimisht kryeministri i vendit.
“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Brujksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.” – vazhdoi më tej.
Ai akuzoi Borrellin - përfaqësues i Bashkimit Evropian - se kishte hequr dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian që ishte quajtur më parë propozim franko-gjerman.
"Kur u takuam në Paris, Borell tha se propozimi është i BE-së por i mbështetur nga Franca e Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Jam i gatshëm të vijë këtu gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që ka njohjen në qendër, dhe temat aktuale të natyrave edhe si puna e targave. Por nuk bën njëra pa tjetrën. Nuk bën të shndërrohemi në liderë shtetëror që merren me targa, e nuk disktuojnë për normalizim të marrëdhnieve." - tha Kurti.
Çka tha Borrelli?
Kryediplomati evropian, Joseph Borrell, në fund të konferencës së tij ku bëri të ditur se nuk ka marrëveshje për targat, ka pasur gjuhë të ashpër veçanërisht ndaj Republikës së Kosovës që sot u përfaqësuar nga kryeminsitri Albin Kurti.
Ai ka thënë se do t’i njoftojë të gjitha shtetet anëtare për sjelljen e dy palëve, por me theks përmendi Kosovën.
“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),” – u shpreh z. Borrell, transmeton Nacionale.
Në anën tjetër, Borrell deklaroi se propozimin që e dhanë BE-ja e pranoi presidenti serb, por jo edhe kryeministri i Kosovës. Ai tha se për çdo tension, palët do të mbahen përgjegjëse.