Shtyrja 48 orëshe: BE-ja gjatë kësaj kohe 'do të bisedojë' me Kosovën e Serbinë për çështjen e targave - NACIONALE

Shtyrja 48 orëshe: BE-ja gjatë kësaj kohe 'do të bisedojë' me Kosovën e Serbinë për çështjen e targave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se pas shtyrjes 48 orësh të shqiptimit të gjobave nga Qeveria e Kosovës për çështjen e targave, do të shfrytëzojë këtë periduhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se në takimin tetë orësh të së hënës, u paraqitën dy propozime të balancuara kompromisi për të “depërshkallëzuar” situatën aktuale.

“Gjatë takimit, lehtësuesi i BE-së paraqiti dy propozime të balancuara kompromisi që do të kishin depërshkallëzuar situatën aktuale. Fatkeqësisht, ende nuk është arritur marrëveshje për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Përfaqësuesi i lartë u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund të përshkallëzonte situatën në terren dhe kujtoi se ai priste që palët të angazhoheshin në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Stano.

Mes tjerash, zëdhënësi i BE-së i ka folur Nacionales edhe për shtyrjen e shqiptimit të gjobave, ku na është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe “do të vazhdojnë bisedimet me të dyja palët”.

Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje. Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

8 orë takim, s’pati marrëveshje

Të hënën u mbajt një takim Kurti-Vuçiq-Borell, i cili zgjati rreth 8 orë, por përfundoi pa ndonjë marrëveshje rreth çështjes së targave.

Pas takimit, kryediplomati Borell pati një reagim të ashpër ku i la fajtore të dyja palët për situatën, derisa përmendi edhe sjelljet e palës nga Kosova.

Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren, do të jetë e madheDo t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”- tha ai.

Kurti ndërkaq, akuzoi përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell se ka hequr dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Brujksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.” – tha Kurti.

Derisa Kurti pretendoi se “Borell hoqi dorë nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi kryediplomatin evropian për njëanshmëri.

Ajo akuzoi atë për njëanshmëri, ndërsa tha se sikur Borrell t'i respektonte parimet bazike të neutralitetit do t'ia përmendte Serbisë së paku disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit.

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën" – tha ajo në një shkrim në Facebook.

Kosova pranon kërkesën e ShBA-së

Mbrëmjen e së hënës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të shtyhet faza e gjobitjes për 48 orë.

Në një deklaratë të ambasadorit Jeff Hovenier, të publikuar pak minuta para mesnatës, theksohej shqetësimi i ShBA-së rreth situatës, ku veç tjerash, përmendej edhe kërkesa e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t'i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje” – thuhej në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Pak kohë pas kësaj kërkesë, reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke konfirmuar se kërkesa është pranuar nga Qeveria e Kosovës.

Anipse pati disa komunikime të ashpra pasditen e së hënës me BE-në, Kurti në konfirmimin e tij, deklarohej se “është i lumtur që të punojë me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme”.

"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme,” – tha ai.

Lajme të ngjashme