BE sërish me ton të ashpër ndaj Kurtit: Deklaratat për Borellin nuk janë të vërteta - NACIONALE

BE sërish me ton të ashpër ndaj Kurtit: Deklaratat për Borellin nuk janë të vërteta

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkimi Evropian ka demantuar pretendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell “ka hequr dorë nga propozimi për normalizimin e marrëdhënieve”. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, BE-ja ka thënë se këto deklarata janë të pavërteta.

Kryeministri Kurti pas takimit që pati dje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zbuloi se marrëveshja e propozuar kishte një afat që të arrihet para marsit 2023.

Mes tjerash, ai akuzoi përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell se ka hequr dorë nga ky propozim.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Brujksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.” – tha Kurti.

Një deklaratë të tillë të dhënë nga shefi i Qeverisë së Kosovës, e ka demantuar BE-ja, duke u shprehur se pretendimet e tilla janë të pavërteta.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka thënë Nacionales se qëndrojnë plotësisht prapa propozimit dhe inkurajojnë palët që të pajtohen me të, sapo t’ia vërtetojnë komunitetit ndërkombëtarë që janë të gatshëm për “zgjidhje evropiane”.

Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA, është i pavërtetë. BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht prapa këtij propozimi dhe inkurajon palët të bien dakord. Teksti, sapo të jenë gati, t'i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë në gjendje të shkojnë drejt zgjidhjeve evropiane, ajo që tani është kryesore është që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, i cili kërkon veprim të menjëhershëm nga të dyja palët - Kosova të mos fillojë të shqiptojë gjoba dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja KM. Nuk mund të ketë negociata për normalizimin e marrëdhënieve me një kërcënim të pranishëm dhunë." – i tha Stano, Nacionales.

Takimi 8 orësh pa marrëveshje

Ndonëse të hënën pati një takim tetë orësh, Kurti-Vuçiq-Borell, i njëjti përfundoi pa marrëveshje në lidhje me çështjen e targave.

Kryediplomati Borell më pas, në një konferencë për media foli me tone mjaft të ashpra, duke lënë fajtore të dyja palët për situatën, por në veçanti, duke përmendur “sjelljet e Kosovës”.

Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren, do të jetë e madheDo t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”- tha ai.

Derisa Kurti pretendoi se “Borell hoqi dorë nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi kryediplomatin evropian për njëanshmëri.

Ajo akuzoi atë për njëanshmëri, ndërsa tha se sikur Borrell t'i respektonte parimet bazike të neutralitetit do t'ia përmendte Serbisë së paku disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit.

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën" – tha ajo në një shkrim në Facebook.

ShBA-ja “vjen në shpëtim”

Të paktën për dy ditë, një “zgjidhje” rreth situatës është gjetur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Frika për tensione në veri të vendit, shtyu aleatin më të madh të Kosovës që të kërkojë shtyrje 48-orëshe për fazën e gjobitjes.

Në një deklaratë të ambasadorit Jeff Hovenier, të publikuar pak minuta para mesnatës, theksohej shqetësimi i ShBA-së rreth situatës, ku veç tjerash, përmendej edhe kërkesa e tyre.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t'i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje” – thuhej në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Pak kohë pas kësaj kërkesë, reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke konfirmuar se kërkesa është pranuar nga Qeveria e Kosovës.

Anipse pati disa komunikime të ashpra pasditen e së hënës me BE-në, Kurti në konfirmimin e tij, deklarohej se “është i lumtur që të punojë me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme”.

"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme,” – tha ai.

Lajme të ngjashme