Sulmoi arbitrarisht Borrellin, s'diti ta mbronte Kurtin: Pse reagimi i Vjosa Osmanit ishte skandaloz? - NACIONALE

Sulmoi arbitrarisht Borrellin, s'diti ta mbronte Kurtin: Pse reagimi i Vjosa Osmanit ishte skandaloz?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bëri një postim pas qorimeve të ashpra të kryediplomatit të BE-së Josep Borrell. Çka tha Osmani, dhe çka na thonë fjalët e saj për të? Që ta themi pyetjen më troç: pse qytetarët duhet të shqetësohen me fjalët e presidentes së tyre?

Kryediplomati Josep Borrell ishte shumë i ashpër me Kosovën pas dështimit të bisedimeve në Bruksel për të arritur një zgjidhje për çështjen e targave ilegale.

Vetëvendosje u mobilizua në përkrahje të kryeministrit Kurti, e këtij mobilizimi iu nënshtrua edhe presidentja Vjosa Osmani.

Fillimisht, çka tha Osmani?

S’u mor me fjalët e Borrellit, por me Borrellin

Në mënyrë krejtësisht arbitrare - pa argumentuar e pa ofruar ndonjë provë – ajo e konsideroi kryediplomatin Borrell të anshëm. Në vend se të kishte konsideratë për ato që i foli Borrell, e që ishin shumë serioze, ajo u mor me sulme që dukeshin të ishin personale. Zero fjalë mbi fjalët që i tha kryediplomati Borrell.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria.” - tha ajo që në hyrje. Sipas saj, Borrell nuk kishte respekt për parimet bazike të neutralitetit, pasi nuk po ia përmendte Serbisë marrëveshjet e shkelura të Brukselit.

Ku e dinte presidentja e Kosovës që Serbisë nuk i përmendeshin këto marrëveshje? Në anën tjetër, ajo kishte para vetes fjalët e thëna nga Borrell por të cilat nuk i adresoi fare.

“Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste,” – përfundoi ajo, në një akuzë të vrazhdë ndaj Bashkimit Evropian.

Qysh po akomodoheshin këto ambicie? Përsëri arbitraritet militantësh, në vend se thirrje për gjakftohtësi.

Pse jo në Twitter?

Këtë postim, presidentja e vendit nuk e shkroi edhe në gjuhën angleze për ta postuar në rrjetin social Twitter në mënyrë që të shihej nga bota diplomatike. Kjo lë të kuptohet, se fjalët e saj ishin më shumë të drejtuara për konsum të brendshëm, që të rritej edhe më shumë popullariteti i kryeministrit Kurti në kohën kur u akuzua në mënyrë direkte nga një përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian.

Dhe, mes pëlqyesve e shpërndarësve kishte edhe shumë deputetë e zyrtarë të Vetëvendosjes si Arjeta Fejza, Dimal Basha etj.

S’u mor as me fjalët e Kurtit

Megjithëse po mbronte Kurtin, Vjosa Osmani duket se nuk e dinte çka po mbronte Kurti. Në Bruksel, siç njoftonte ambasadori Agron Bajrami, në fakt Kurti kishte propozuar pezullimin e fazave tjera të targave. E vetmja gjë shtesë që kishte kërkuar për dallim nga Borrelli, ishte që të BE-ja të nisnin bisedimet për planin franko-gjerman.

Presidentja del se nuk dinte këto, pavarësisht që u thanë publikisht, pasi nuk adresoi asnjë prej fjalëve të kryeministrit Kurti apo ambasadorit Bajrami. Zero!

Gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit nga ana e qytetarëve të Kosovës të nxitur nga politikanë ndaj kryediplomatëve të Bashkimit Evropian vazhdon të jetë shqetësuese dhe të rris euroskepticizmin në vendin tonë. Dhe kësaj fryme të paarsyeshme, fatkeqësisht, iu bashkua irracionalisht edhe presidentja e Kosovës.

Çka tha Borrelli?

Josep Borrell ishte i ashpër pas dështimit të bisedimeve, duke thënë se palët tashmë kishin përgjegjësi të madhe nëse do të eskalonte gjendja në terren. Ai tha se BE kishte dhënë një propozim por të cilin e kishte refuzuar Kurti, megjithëse e kishte pranuar Vuçiqi.

“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),” – tha mes tjerash z. Borrell.

Lajme të ngjashme