Borrell pas takimit: S'ka marrëveshje, e dhamë një propozim që e pranoi Vuçiqi por jo Kurti - NACIONALE

Borrell pas takimit: S'ka marrëveshje, e dhamë një propozim që e pranoi Vuçiqi por jo Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Josep Borrell ka folur pas takimit të gjatë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, dhe ka pasur fjalë të ashpra në fund të këtij fjalimi "sidomos për Kosovën". Për shkak se adresimi i z. Borrell u ndoq në kohë reale u desh që të postonim fjalët e tij në mënyrë kronologjike dhe jo sa i përket relevancës së tyre.

“Mospajtimi për targat... Kosova ka vendosur të lëshojë gjoba prej sonte për ata që s’i kanë regjistruar makinat e tyre me targa RKS. Si pasojë, serbët e Kosovës janë larguar nga inistitucionet e Kosovës.” - tha fillimisht ai.

Ai vazhdoi të përmendte edhe faktet për situatën në terren në veri të Kosovës, përfshirë dorëheqjen e 600 zyrtarëve policorë serbë.

“Kjo lë një vakum të madh të sigurisë (në veri të vendit). Në terren dhe në situatën aktuale politike. Po, kemi një mision të Eulexit, por ata s’mund të marrin punën e policisë lokale. Sundimi i Ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe eskalime,” – vazhdoi z. Borrell.

“Takimi i sotëm ishte për deeskalimin e situatës.”

Më tej, kryediplomati evropian u shpreh se prej verës ishin përpiqur të gjenin një zgjidhje për çështjen.

“Kjo nënkupton se nuk kemi qenë në gjendje të zgjidhim çështjen kryesore, atë të marrëdhënieve të normalizuara. Jua bëra të qartë të dyja palëve, që s’mund të vazhdojmë kështu,” – tha diplomati spanjoll.

“Pas shumë orësh diskutimi, të dyja palët nuk arritën në një zgjidhje sot. Mendoj se ka një përgjegjësi të rëndësishme për dështimin e bisedimeve dhe për çfarëdo eskalimi që mund të ndodh në terren,” – u shpreh më tutje ai duke treguar se kishte dhënë edhe një propozim.

“Kemi dhënë një propozim, që Vuçiqi e ka pranuar sot por fatkeqësisht Kurti nuk e ka pranuar,” - ishte ndërkohë një deklaratë tjetër e rëndë e z. Borrell.

"Pres prej Kosovës që të pezullojë të gjitha hapat sa i përket targave, dhe pres prej Serbisë që të mos lëshojë targa të reja ilegale,"

Më pas, z. Borrell ashpërsoi gjuhën e tij.

“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di kjo dërgon një sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),”– u shpreh z. Borrell.

Ndërkohë, zyrtarët e Vetëvendosjes në Kosovë kanë nisur masivisht ta shpërndajnë një thurje (hashtag) "#meKryeministrin".

"Ende mendoj se ka një rrugë jashtë kësaj krize," - u shpreh në fjalët e fundit z. Borrell, duke falenderuar për rolin e tij edhe përfaqësuesin Lajçak.

Lajme të ngjashme