Rëndim pas rëndimi: Krejt çka tha Josep Borrell dje pas takimit - NACIONALE

Rëndim pas rëndimi: Krejt çka tha Josep Borrell dje pas takimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më poshtë e keni të përkthyer çdo fjalë që e tha Josep Borrell, kryediplomati i BE-së, dhe që tronditi opinionin publik në Kosovë por jo vetëm.

JOSEP BORRELL

Sot, prej orës tetë në mëngjes – do të thotë tetë orë, tetë orë me takime – kam mirëpritur kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për një takim emergjent këtu në Bruksel.

Të dy morën pjesë në këtë takim, erdhën në Bruksel. Dhe ishte e rëndësishme që e bënë sepse po e gjejmë veten, përsëri, në një situatë tjetër krize.

Dhe kjo po na ndodh vetëm tre muaj pas takimit të fundit për një krizë – nga kriza në krizë. Kësaj here, është edhe më keq se në gusht, kur mu desh të vija në Bruksel në mes të gushtit për të shmangur krizën e mëparshme. Prej gushtit, mospajtimi për targat është përkeqësuar. Kosova ka vendosur të fillojë me gjoba prej 22 nëntorit – që nënkupton prej sonte në mesnatë – për ata që nuk kanë riregjistruar veturat e tyre.

Si pasojë, serbët e Kosovës janë tërhequr nga institucionet në veri të Kosovës. Kjo nënkupton se rreth 600 zyrtarë policorë kanë zhveshur uniformat e tyre. Gjykatësit dhe stafi i administratës lokale po ashtu ka dhënë dorëheqje. Tash për tash, më pak se 50 policë shqiptarë nga Kosova janë në stacionet policore të rajonit – që sigurisht nuk mjaftojnë.

Kjo e lë një vakum shumë të rrezikshëm sigurie – vakum në terren, në një situatë veçse tepër fragjile. Po, e kemi një mision këtu, ne kemi misionin e EULEX-it dhe, po ashtu, trupat e KFOR-it janë të pranishëm, por ata s’mund ta marrin rolin e policisë lokale: nuk është në mandatin e tyre e as në takatin e tyre.

Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe eskalim, ndërsa nuk respektohen obligimet e rëndësishme për të cilat është arritur marrëveshej shumë vite më parë në dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe paraardhësit e mi, Përfaqësuesit e Lartë.

Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë vazhdimisht kanë bërë thirrje për de-eskalim, por pa dobi. Ky takim sot ishte rreth përgjegjësisë së liderëve që urgjentisht të de-eskalojnë situatën, të sigurojnë që paqja dhe stabiliteti janë rivendosur dhe, më e rëndësishme, që do të mbizotërojnë – duke shmangur krizën me pasoja shumë të rënda.

Prej verës së kaluar, kemi qenë të preokupuar me menaxhim permanent krizash, duke provuar të shmangnim një afat artificial pas tjetrit: nga afati në afat, nga kriza në krizë.

Kjo nënkupton se nuk kemi qenë të aftë të adresojmë problemin real. Problemi real është normalizimi i marrëdhënieve, që do të zgjidhte dhe parandalonte situata të tilla krize – sepse rrënja shkon shumë më larg se targat.

Jua kam bërë të qartë të dyja palëve se s’mund të vazhdojmë më kështu, se ky është një qark vicioz i krizave dhe afatet duhet të mbarojnë.

Të dy, edhe presidenti Vuçiq e edhe presidenti Kurti janë liderë të zgjedhur me mandate të forta. Ne presim prej tyre që të shfaqin lidershipin dhe vullnetin për të zgjidhur mospajtimet e tyre dhe që ta çojnë përpara normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të avancojnë në rrugët e tyre respektive evropiane.

Por pas shumë orësh negociata, prej orës tetë të mëngjesit, dy palët nuk u pajtuan për një zgjidhje sot.

Mendoj që ka një përgjegjësi të rëndësishme (te të dy liderët) për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo eskalim e dhunë që mund të ndodh në terren në ditët në vazhdim.

Për hir të transparencës, më duhet të them se kemi dhënë një propozim, që mund të ketë shmangur këtë situatë të rrezikshme, të cilën Presidenti Vuçiq e pranoi, por fatkeqësisht kryeministri Kurti jo.

Për të shmangur eskalimin, po bëj edhe një zotim. Do të doja të ishte marrëveshje, por meqë s’ka marrëveshje, po e kërkoj solemnisht nga të dyja palët.

E para, pres nga Kosova që menjëherë të pezullojë fazat tjera të lidhura me ri-regjistrimin e veturave në veri të Kosovës. E përsëris: Unë tash pres nga Kosova që menjëherë të pezullojë fazat tjera të lidhura me riregjistrimin e veturave në veri të Kosovës. Dhe prej Serbisë, që të pezullojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, përfshirë targat KM.

Ky ishte propozimi që mezi e arritëm, por meqë s’ishte e mundur për arsye të ndryshme, më duhet ta theksoj që po iu kërkoj të dyja palëve të zbatojnë këto dy kërkesa.

Kjo do të lejonte hapësirë dhe kohë prë palët që të shqyrtonin një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave, në kontekstin e normalizimit të raporteve, dhe i cili është objektivi ynë më i rëndësishëm.

Në ndërkohë, mungesa e marrëveshjes sot po ashtu nënkupton se na duhet t’i nxjerrim konkluzionet tona për mënyrën se si ky proces negociatash është mbajtur.

Do të informojë shtetet anëtare, do të informojë kolegët e mi – ministrat e Punëve të Jashtme – dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare – dhe, më duhet ta them, kjo shkon posaçërisht për Kosovën. Edi, kjo dërgon sinjal tepër negativ politik.

Për ta mbyllur, jua kam bërë të qartë të dy liderëve që nëse hyrja në Bashkimin Evropian është qëllimi i tyre final, e për të cilin janë përkushtuar, ne presim që të sillen në pajtim me të.

Nga ana ime, do ta mbajë dialogun shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special Mirosllav Lajçak. Dhe dua ta falenderoj për punën e tij, durimin e tij, dhe përkushtimin e fortë. Sa për propozimin që, të dy, e kemi vënë në tavolinë, kam marrë mbështetje të fortë nga Franca dhe Gjermania, dhe ende mendoj se është një shtegdalje prej kësaj krize, me perspektivën e normalizimit dhe të përmbushjes së plotë të çdo angazhimi, përkushtimi dhe marrëveshjeje.

Shpresoj që të dyja palët të sillen në përputhje me kërkeat e mia në mënyrë që të shmangim eskalimin e mëtejmë dhe një krizë të re të rrezikshme. Falemnderit.

Lajme të ngjashme