Kurti pranon kërkesën e Ambasadës së ShBA-së për shtyrje 48-orëshe të fazës së gjobitjes - NACIONALE

Kurti pranon kërkesën e Ambasadës së ShBA-së për shtyrje 48-orëshe të fazës së gjobitjes

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Gazeta Nacionale pak çaste më parë publikoi kërkesën e Ambasadës Amerikane për shtyrjen 48-orëshe të fazës së gjobitjes.

Kjo kërkesë është pranuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter" konfirmoi “PO-në” e kësaj kërkese, duke thënë se është kënaqësi të bashkëpunosh me ShBA-në.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme", shkroi ndër të tjerash kreu i ekzekutivit.

Ç'ngjau dje?

S'u regjistrua asnjë marrëveshje e vetme, ani pse negociatat thuhet të kenë zgjatur gati tetë orë.

Borrell tha se Kosova refuzoi propozimin e BE-së, kurse Serbia e pranoi. Madje, spanjolli ishte goxha i ashpër, duke paralajmëruar se do t'i njoftojë vendet e BE-së për qasjen negative në dialog nga ana e Kosovës.

“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),” – u pat shpreh spanjolli.

Në anën tjetër, Kurti deklaroi se ka pasur kërkesë të vazhdohet me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin dhe prodhimin e targave.

“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve”.

Veç kësaj, shefi i ekzekutivit tregoi se Borrell hoqi dorë nga afati i mëparshëm për një marrëveshje para Marsit 2023 dhe propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfaqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”.

"Wall Street"

Rreth zhvillimeve të ditës së djeshme ka shkruar edhe gazetari i Wall Street Journal, Laurence Normann.

Normann bëri një postim në profilin e tij pas qortimeve të ashpra që i dha Kosovës Bashkimi Evropian, me anë të kryediplomatit të saj Josep Borrell.

“Pas viteve që pasuan dialogun, kurrë s’e kam parë Brukselin të kritikojë kaq rëndë Kosovën. Është e paprecedentë. Me gjasë reflekton zemërimin e vërtetë ndaj Albin Kurtit. Shumë pakënaqësi evropiane kishte për mënyrën se si politika amerikane u mor me këtë çështje nën administratën Trump, por e vërteta është se gjërat janë edhe më keq.” – tha z. Normann në llogarinë e tij në Twitter.

Kujtojmë se gazetari Laurence Norman mbulon Evropën për prestigjiozen amerikane Wall Street Journal.

Lajme të ngjashme