Hormuzi sërish në krizë: tensionet ShBA-Iran kërcënojnë transportin detar
Sulmet e reja nga forcat e Iranit dhe të Shteteve të Bashkuara kanë vënë në rrezik rimëkëmbjen e brishtë të qarkullimit detar në Gjirin Persik, ku trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit kishte arritur së fundmi nivelet më të larta që nga nisja e luftës amerikane në Iran, sipas raportimit të The New York Times.
Sulmet e tri ditëve të fundit treguan se të dyja vendet mbeten të gatshme të përdorin forcë ushtarake për të fituar epërsi në këtë korridor strategjik. Kjo ka shtuar pasigurinë te operatorët detarë, të cilët vazhdojnë ta shohin Ngushticën e Hormuzit si zonë me rrezik të lartë. Përmes saj kalojnë dërgesa të rëndësishme të naftës dhe gazit nga Gjiri Persik.
Të shtunën, Bahreini, aleat i SHBA-së në rajon, tha se ishte sulmuar nga dronë iranianë. Sulmi u pa si hakmarrje e mundshme për goditjet që forcat amerikane kryen ndaj Iranit të premten. Ato goditje, nga ana tjetër, erdhën pasi Irani kishte qëlluar të enjten ndaj anijes së mallrave Ever Lovely, e cila po lundronte nëpër ngushticë.
Përplasjet ndodhën rreth një javë pasi ShBA-ja dhe Irani kishin nënshkruar një marrëveshje paraprake paqeje, ku përfshihej edhe rihapja e ngushticës. Megjithatë, kalimi detar nuk është kthyer në normalitet. Pas sulmit iranian ndaj Ever Lovely, Organizata Ndërkombëtare Detare, agjenci e OKB-së, ndali përpjekjen për evakuimin e qindra anijeve të bllokuara në Gjirin Persik.
Agjencia britanike U.K. Maritime Trade Operations e rriti të shtunën nivelin e kërcënimit në Ngushticën e Hormuzit në “substantial”, duke përmendur sulmet ndaj anijeve. Ajo raportoi se një cisternë ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar, pa të lënduar dhe pa dëme mjedisore.
Situata mbetet e vështirë për kompanitë detare. Drejtuesi i Stealth Gas tha se një nga tri anijet e kompanisë, të bllokuara prej më shumë se tre muajsh në Gjirin Persik, kishte arritur të dilte ditët e fundit, ndërsa dy të tjerat mbeten të bllokuara.
Irani ka kërkuar së fundmi që operatorët e anijeve të marrin leje për të kaluar nëpër ngushticë dhe ka kërcënuar ato që nuk e bëjnë këtë. Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së ka ndihmuar anijet tregtare të kalojnë pranë bregdetit të Omanit dhe tha se ka asistuar mbi 500 anije që nga fillimi i majit.
Para sulmeve të fundit, trafiku po rritej: 73 anije kaluan të mërkurën dhe 54 të enjten, sipas Kpler. Këto shifra ishin ende larg rreth 130 anijeve në ditë para konfliktit. Pas sulmeve, ekspertët presin që shumë operatorë të shmangin përkohësisht ngushticën, duke vonuar kthimin në normalitet.