Detaje nga rrëmbimi i gjashtëvjeçares në Majorka: Babai e fshehu në bagazhin e veturës dhe përfundoi i arrestuar në Kosovë
Një vajzë gjashtëvjeçare, e cila dyshohet se ishte rrëmbyer nga babai i saj në Majorka të Spanjës, është gjetur në Kosovë pas një operacioni ndërkombëtar policor. Babai i saj është arrestuar nga autoritetet kosovare, raportoi mediumi spanjoll Todoalicante.
Sipas raportimit, vajza ishte marrë nga babai rreth dy javë më parë. Për t’u larguar nga ishulli, ai dyshohet se e kishte fshehur fëmijën në bagazhin e veturës, kishte udhëtuar me traget nga Majorka dhe më pas kishte kaluar kufij ndërkombëtarë pa e deklaruar praninë e saj.
Hetimi nisi pas denoncimit të nënës së vajzës, e cila kishte njoftuar autoritetet për zhdukjen e fëmijës dhe kishte treguar se babai i saj e kishte informuar se ishte larguar nga Spanja bashkë me të miturën. Pas kësaj, Garda Civile e Spanjës nisi një operacion për lokalizimin e vajzës dhe gjurmimin e lëvizjeve të të dyshuarit.
Hetuesit spanjollë konstatuan se largimi nuk ishte spontan, por i planifikuar, sipas mediumit. Sipas tyre, babai kishte ndërmarrë një sërë masash për të vështirësuar gjurmimin nga policia, për të fshehur vendndodhjen reale të vajzës dhe për të fituar kohë gjatë arratisjes.
Një element kyç i hetimit ishte një pajisje AirTag, të cilën vajza e kishte fshehur në çantën e saj. Fillimisht, pajisja u pa si një pistë e mundshme për gjurmimin e saj, por më pas u zbulua se ishte vendosur në një zarf postar me destinacion Marokun. Sipas todoalicante, hetuesit dyshojnë se këtë veprim e kishte kryer një person nga rrethi i babait, me qëllim devijimin e hetimeve drejt një rruge të rreme.
Gjatë hetimeve, Garda Civile kreu kontrolle në banesa të lidhura me rastin, analizoi pamje nga kamerat e sigurisë, transaksione bankare dhe nisje detare nga Majorka. Po ashtu, u aktivizuan kanalet ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, ndërsa ndaj të dyshuarit u lëshuan urdhër-arrest evropian dhe urdhër ndalimi.
Sipas mediumit spanjoll, hetuesit rindërtuan itinerarin e dyshuar të arratisjes nga Majorka drejt disa vendeve evropiane, derisa hetimet u përqendruan në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, u zbulua se babai kishte mbyllur llogaritë bankare dhe kishte fshirë profilet në rrjete sociale, duke reduktuar gjurmën e tij digjitale.
Në një fazë të hetimeve, policia gjermane lokalizoi në Gjermani një automjet me të njëjtat targa si vetura që dyshohej se ishte përdorur nga i arratisuri. Ky detaj forcoi dyshimet se mund të ishin përdorur targa të dyfishta ose të falsifikuara për të vështirësuar gjurmimin e lëvizjeve.
Hetuesit po ashtu dyshojnë se burri kishte nisur të ndryshonte gradualisht pamjen fizike, me qëllim që të mos identifikohej nga autoritetet policore gjatë qëndrimit në Kosovë.
Garda Civile mbajti koordinim të vazhdueshëm me autoritetet gjyqësore, specialistët e Njësisë Qendrore Operative të Gardës Civile, atasheun e ambasadës spanjolle në Berlin dhe policitë e huaja, duke ua përcjellë autoriteteve kosovare informacionet e nevojshme për rastin.
Të mërkurën, më 24 qershor, autoritetet policore të Kosovës njoftuan arrestimin e të dyshuarit dhe lokalizimin e vajzës gjatë një verifikimi policor në vend. Vajza u gjet në gjendje të mirë shëndetësore dhe u vendos nën mbrojtjen e autoriteteve kompetente.
Të premten pasdite, ajo u kthye bashkë me nënën e saj në shtëpinë e tyre në Majorka, sipas raportimit.