Glauk Konjufca ‘pranoi kombin kosovar’, VV po distancohet nga Bashkimi Kombëtar: A po rritet kosovarizmi? - NACIONALE

Glauk Konjufca ‘pranoi kombin kosovar’, VV po distancohet nga Bashkimi Kombëtar: A po rritet kosovarizmi?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Fjalët e Konjufcës për kombin kosovar, zbulimi i nenit 1.3 i Kurtit në Kushtetutë. A po e ndryshon mendimin e kosovarëve për veten distancimi i VV-së nga Bashkimi Kombëtar?

Disa fjalë nga Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Vetëvendosjes, më lanë të habitur gjatë një interviste në të cilën ai po fliste për propozimin franko-gjerman. Nuk ishin fjalë për propozimin. Ishin për “kombin kosovar”. Dhe, s’mund të hiqen prej kontekstit sepse nuk do të kuptoheshin po të çintegroheshin nga e gjithë rrjedha e fjalive.

Çka tha Konjufca?

“As Serbia nuk na pranon neve si komb, nuk na pranon si Kosovë... dmth a e ke pa Kosova nuk ekziston (për Serbinë). Ata dëshirojnë të flasin për neve me Edi Ramën (kryeministër i Shqipërisë). Dmth për Serbinë nuk ekziston Kosova. Ashtu si për Putinin nuk ekziston kombi ukrainas. Kështu që pa u zgjidhë këto dy problematika, lej targat ti,”

Prandaj, t’i lëmë targat... përkohësisht. Qysh është e mundur që një zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, i dyti për nga lartësia, të fliste kaq hapur për kombin kosovar e të mos i bëhej e madhe?

Aktivistë të lartë e të vegjël të Vetëvendosjes ma shihnin për të madhe që e promovoja kombin kosovar dikur. Ma shihnin për të madhe që i dilja kundër nacionalizmit romantik primitiv që e përdhoste Kosovën për idenë e Shqipërisë së Madhe.

Për t’i ‘procesuar’ më mirë këto fjalë të Glauk Konjufcës, fola me nja dy bashkëmendimtarë sa i përket çështjes së kombit e të kosovarocentrizmit.

Çka thonë 'kosovaristët'?

Halil Matoshi nuk u duk aq optimist me fjalët e kryekuvendarit duke evokuar edhe një kujtim interesant.

“Kjo klasë politike nuk ka ndonjë mendim të qartë politik dhe aq më pak identitar. Me Glauk Konjufcën kam pasë polemika më 2007 rreth kombit kosovar, atëherë mbante qëndrim të fortë për një komb unik dhe për bashkim madje duke na parë neve, teorukëve të identitetit kosovar si armiq.” – më tha fillimisht ai.

Por, a po ndërron diçka te populli që duket edhe më tej më i lidhur me flamurin kuq-e-zi se sa me flamurin e Republikës tonë?

Në këtë pikë, duhet kujtuar edhe kryeministri Kurti është distancuar nga ideja e Bashkimit Kombëtar. Pas ardhjes në pushtet, Kurti e ka mësuar që ekziston edhe pika 1.3 e Kushtetutës së Kosovës që nuk lejon bashkimin me një shtet tjetër.

Megjithëse, në anën tjetër këshilltari i tij për mbikëqyrjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, Hysamedin Feraj, vazhdon të thotë: “Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!”

Por, a e kanë rritur kosovarocentrizmin në Kosovë këto distancime të VV-së - partisë së vetme parlamentar që promovonte Bashkimin Kombëtar – nga ideja e Bashkimit Kombëtar?

Skeptik ishte gazetari dhe biologu kosovarocentrist Kastriot Musliu.

“Jo, s’mendoj. Kjo tregohet qartë nëpërmjet përçmimit që kosovarët i bëjnë flamurit duke proklamuar atë shqiptar. Dhe mendoj se këtu kemi të bëjmë me një rast të disonancës kognitive sepse në njërën anë kosovarët, natyrisht, e shohin Kosovën për atë çfarë është: shtet i pavarur dhe sovran; por në anën tjetër, mohojnë simbolet të cilat e identifikojnë Kosovën si shtet të pavarur.” – argumentoi Musliu.

Nuk sheh ndonjë ndryshim as Halil Matoshi, i cili e konsideron këtë lëvizje të Vetëvendosjes të lidhur me pushtetin. Nëse e humbin pushtetin, i rikthehen Bashkimit Kombëtar?”

“Sot nga pushteti, flasin për komb kosovar për të tingëlluar shumë kosovarë të mëdhenj dhe pro shumë-etnicitetit të vendit. Nesër nëse e humbin pushtetin, këta kthehen prapë tek kombi etnik dhe bashkimi. Sepse thjesht nuk kanë besnikëri për Kosovën dhe Kushtetutën e saj. Kosovacentrizmin e shohin vetëm si votë e mundësi pushteti dhe e përdorin ndonjëherë si retorikë politike kundër Edi Ranës. Po ta kishte të ndërtuar themeltë kosovacentrizmin, do të ishte për një duartrokitje! Por druaj se e ka për një përdorim.” – argumentoi gazetari dhe poeti me përvojë të gjatë në debatin publik.

Kohët e fundit veçanërisht shqetësuese ishin disa ngjarje në basketbollin kosovar, ku në mënyrë të çuditshme tifozët e një ekipi nga Gjakova e kishin përdhosur himin e Republikës duke e detyruar kësisoji Federatën e Basketbollit (FBK) që të hiqte dorë nga praktika e intonimit të himnit para ndeshjeve.

Por, se a do të ketë ndonjë ndikim në kohë afat-gjatë ky ndryshim i VV-së, mbetet të shihet.

Lajme të ngjashme