Vjosa Osmani me 'goditje' direkte për kryediplomatin evropian: Borrell i njëanshëm - NACIONALE

Vjosa Osmani me 'goditje' direkte për kryediplomatin evropian: Borrell i njëanshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Bruksel.

Në fakt, pak çaste më parë ajo zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Konjufca e ministrin Sveçla, teksa përmes një postimi të gjatë në rrjetin social "Facebook", Osmani hodhi kritika ndaj Borrellit, shefit të diplomacisë evropiane.

Ajo akuzoi atë për njëanshmëri, ndërsa tha se sikur Borrell t'i respektonte parimet bazike të neutralitetit do t'ia përmendte Serbisë së paku disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit.

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën", duke postuar më pas edhe marrëveshjet e Brukselit.

Veç kësaj, presidentja e vendit shtoi se paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste.

Në fund fare shtoi se Kosova nuk do të heqë dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë në tërë territorin e saj.

"Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj".

Më poshtë edhe postimi i plotë, teksa kujtojmë se lajmi është në përditësim.

Ç'ndodhi sot?

Nuk u prodhua asnjë marrëveshje, përkundër se kryeministri Kurti u nis drejt kryeqendrës evropiane për një gjë të tillë.

Borrell tha se Kosova refuzoi propozimin e BE-së, kurse Serbia e pranoi. Madje, spanjolli ishte goxha i ashpër, duke paralajmëruar se do t'i njoftojë vendet e BE-së për qasjen negative në dialog nga ana e Kosovës.

“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),” – u shpreh z. Borrell, transmeton Nacionale.

Në anën tjetër, Kurti deklaroi se ka pasur kërkesë të vazhdohet me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin dhe prodhimin e targave.

“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve”.

Veç kësaj, shefi i ekzekutivit tregoi se Borrell hoqi dorë nga afati i mëparshëm për një marrëveshje para Marsit 2023 dhe propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfaqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”.

"Wall Street"

Rreth zhvillimeve të sotme ka shkruar edhe gazetari i Wall Street Journal, Laurence Normann.

Normann bëri një postim në profilin e tij pas qortimeve të ashpra që i dha Kosovës Bashkimi Evropian, me anë të kryediplomatit të saj Josep Borrell.

“Pas viteve që pasuan dialogun, kurrë s’e kam parë Brukselin të kritikojë kaq rëndë Kosovën. Është e paprecedentë. Me gjasë reflekton zemërimin e vërtetë ndaj Albin Kurtit. Shumë pakënaqësi evropiane kishte për mënyrën se si politika amerikane u mor me këtë çështje nën administratën Trump, por e vërteta është se gjërat janë edhe më keq.” – tha z. Normann në llogarinë e tij në Twitter.

Kujtojmë se gazetari Laurence Norman mbulon Evropën për prestigjiozen amerikane Wall Street Journal.

Lajme të ngjashme