Dikur nuk i ngutej për dialogun, pse tash Kurti e ka me urgjencë marrëveshjen finale me Serbinë? - NACIONALE

Dikur nuk i ngutej për dialogun, pse tash Kurti e ka me urgjencë marrëveshjen finale me Serbinë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti, me ardhjen në pushtet, i ka ndryshuar qëndrimet e tij në raport me dialogun e Brukselit. Një gjë e tillë katërçipërisht u vërtetua pas takimit të gjatë që Kurti e pati dje në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Gjatë konferencës për gazetarë, Kurti befasoi të gjithë, kur tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë është urgjente.

Deri në këtë takim, ai nuk kishte treguar ndonjë entuziazëm të madh për procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Madje ai i kishte kritikuar ata që nxitoheshin drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje.

Pasi i kishte fituar zgjedhjet nacionale, më 14 shkurti të vitit 2021, Kurti kishte thënë se nuk do të ngutej në procesin e dialogut.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) me temën “Si tutje me dialogun?”, më 22 mars 2021, ai kishte thënë se nuk e përkrah idenë që Kosova të ngutet në këtë proces.

"Duhet të përgatitemi mirë për dialog, nuk mund të kemi edhe një dështim të radhës. Për këtë arsye, unë nuk jam që të ngutemi me ato fjalët e marrëveshjeve historike e gjithëpërfshirëse"- kishte thënë Kurti.

Se nuk i interesonte shumë dialogu, ai kishte treguar edhe në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 18 shkurt 2021.

Në këtë intervistë ai kishte thënë se dialogu me Serbinë është prioritet i shtatë i tij.

Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë Covid-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë ose të shtatë, unë do të mund të bëj një koncesion dhe ta sjell në vendin e katërt, pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjell në top dy prioritetet”- kishte deklaruar Kurti.

Urgjenca e Kurtit për marrëveshjen

Nuk është e qartë se çka ndodhi brenda takimit 8-orësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i ndërmjetësuar nga BE-ja, por i pari i ekzekutivit kosovar u shpreh shumë kritik ndaj ndërmjetësit të procesit.

Para gazetarëve, ai tha se BE-ja ka hequr dorë nga plani i saj për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka bërë me dije se në këtë takim ka kërkuar që BE-ja të angazhohet më me urgjencë për marrëveshjen finale.

Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve”- ka thënë ai.

Me tej, ai ka treguar për planin e kryediplomatit evropian.

"Në propozimin që na e kanë sjellë zotërinjtë Borrell dhe Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel për t'u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023"- ka thënë ai, duke i kritikuar zyrtarët e BE-se se kanë hequr dorë nga misioni i tyre.

"Me keqardhje mund të them që përfaqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afat, marsi 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”- është shprehur ai.

Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm për t`i vazhduar bisedimet për këtë çështje.

"Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që e ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo nuk bën njëra pa tjetrën"- ka thënë Kurti.

Kurti i rikonfimroi marrëveshjet "e dëmshme"

Kritikat ndaj këtij procesi i pari i Qeverisë nuk i kishte ndalur as pasi e kishte marrë pushtetin.

Gjatë prezantimit të programit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, Kurti kishte akuzuar paraardhësit e tij se në këtë proces kanë bërë marrëveshje të dëmshme për vendin.

Me këtë rast, ai pati thënë se pjesën më të madhe të energjisë se tij në dialog do ta shpenzonte në zhbërjen e këtyre marrëveshjeve, që, sipas tij, ishin të dëmshme.

"Por, mos harroni se ju që keni qenë në pushtet në këto dy dekada që lam pas, keni bërë tashmë një trashëgimi që na ka ngelur neve. Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë time në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshja për Fusnotën, Marrëveshjet për Gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgim", kishte thënë Kurti.

Mirëpo, me fillimin e procesit të dialogut, kryeministri i hëngri fjalët kundër dialogut.

Ai pranoi t`i zbatonte disa nga marrëveshjet që sa ishte në opozitë i kishte kritikuar shumë. Fillimisht, Qeveria bëri ujdi në Bruksel me Serbinë për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë të 2013-s dhe 2015-s, duke mos ia ndryshuar asnjë dhe shkronjë dhe asnjë presje marrëveshje.

Më pas, Qeveria ka pranuar ta zbatoi edhe marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë.

Ndërsa, tani për të zbatuar marrëveshjen për targat, e cila ishte arritur vite me parë, ka tensionuar raportet me SHBA-në dhe BE-në, të cilët po kërkojnë që zbatimi i marrëveshje të pezullohet për 10 muaj.

Shtyrja e marrëveshjes, interes i Serbisë

Pas marrjes se pushteti, zyrtarët qeveritar janë munduar të tregojnë se pse është i dëmshëm rinegocimi i marrëveshjeve me Serbinë, të cilin e kishin premtuar më parë.

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTV Dukagjinin, në qershor të këtij viti, pati thënë se Serbia është e interesuar ta zvarrisë marrëveshjen finale për 10 vite.

Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa, zyrtarët më të lartë amerikan kanë bërë me dije se vazhdimi i status qou-s nuk është në interes të Kosovës.

Gjatë vizitës në Kosovës, në prill të këtij viti, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, kishte theksuar se nga vazhdimi i gjendjes aktuale përfiton vetëm Rusia.

Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, kishte deklaruar Donfried.

Lajme të ngjashme