Haxhiu e la opozitën në KQZ pa një votë: VV-së i ngutet zgjedhja e shefit të SKQZ-së, a do t`i arsyetojnë vonesat zyrtarët e Kushtetueses, KGjK-së dhe KPK-së?
Deri më 20 gusht është afati i fundit kur ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, duhet të përfundojë procedurat për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe, partisë se Albin Kurtit po i ngutet të “kap” një pozitë të rëndësishme në këtë institucion.
Derisa anëtar i VV-së në KQZ është Alban Krasniqi, burri i Albulena Haxhiut, kësaj partie po i ngutet që të zgjedh Drejtorin e ri të Sekretariatit të KQZ-së.
Gazeta Nacionale ka mësuar se kandidatët për intervistim me shkrim që kanë aplikuar për këtë pozitë janë ftuar për nesër(24 korrik).
Procedura e intervistimit të kandidatëve zhvillohet nga një Komision i Pranimit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Në këtë komision me nga një anëtar përfaqësohen Gjykata Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe dy anëtarë të tjerë.
Ende nuk dihet nëse anëtarët e këtij paneli do të paraqiten nesër për intervistim me shkrim të kandidatëve.
Kjo pasi zhvillimi i procedurave të rekrutimit 9 muaj pas mbylljes së konkursit po konsiderohet si shkelje e Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Ligji në fjalë obligon institucionet publike që në konkurse të veprojmë me efikasitet, proporcionalitet dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Nëse ata paraqiten, atëherë do të legjitimonin procedurën e këtij konkursi që është shpallur më 23 tetor të vitit 2025 dhe është mbyllur në nëntor vitit të kaluar.
Përmes këtij konkursi, VV-ja është duke synuar “kapjen” e kësaj pozite në KQZ, duke rrezikuar legjitimitetin e të gjithë procesit.
Kjo parti është duke shfrytëzuar situatën e krijuar në KQZ, ku partitë opozitare, respektivisht PDK, është e përfaqësuar me një anëtar me pak dhe rrjedhimisht me një votë më pak.
Pikërisht përfaqësuesja e VV-së, që është bërë U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ.
Sipas rregullores së brendshme 11/2024 për pranimin e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, ky Komision ka për detyrë që të bëjë vlerësimin profesional të kandidatëve, duke përfshirë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive profesionale, testimin me shkrim dhe intervistën me gojë.
Pas kësaj, ky Komision përgatit listën e kandidatëve që marrin më shumë se 70 për qind të pikëve.
Të gjithë kandidatët e vlerësuar nga Komisioni mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohen kandidat fitues.
Përzgjedhjen përfundimtare, pra të drejtorit të ri të SKQZ-së, duhet ta bëjnë anëtarët e KQZ-së me votim të fshehtë.
Në përbërjen aktuale, VV duke bashkuar votat me përfaqësuesit e minoriteteve, lehtësisht mund të mbivotojë opozitën që ka një votë më pak në KQZ. Kjo për shkak të refuzimit të U.D. të Presidentes, Albulena Haxhiu, të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së.
Sipas rregullores së KQZ-së, kandidati që merr shumicën e votave të anëtarëve të KQZ-së, konsiderohet i përzgjedhur dhe emërohet si Drejtor i SKQZ-së.

Aktualisht, kryetar i KQZ-së është Kreshnik Radoniqi, i emëruar pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021 dhe kjo parti përfaqësohet me dy anëtarë, Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun, kurse tri minoritetet, turk – boshnjak – ashkali, me të cilat VV është në bashkëqeverisje, kanë nga një përfaqësues. Partitë opozitare(PDK, LDK, AAK) përfaqësohen me vetëm nga një anëtar. Edhe Lista Serbe ka një përfaqësues.
Në këtë përbërje, mungesa e një vote nga radhët e opozitës mund të përcaktojë rrjedhën e përzgjedhjes së drejtorit të ri të KQZ-së, por edhe të cilësisë së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas Nenit 66 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Drejtori i Sekretariatit është zyrtari më i lartë administrativ i KQZ-së dhe udhëheq të gjithë Sekretariatin. Ai nuk merr vendime politike apo zgjedhore, por është përgjegjës për funksionimin e përditshëm të institucionit dhe zbatimin e vendimeve të KQZ-së.
Rëndësia e këtij pozicioni qëndron në faktin se drejtori është shefi ekzekutiv i administratës së KQZ-së. Ai koordinon punën e administratës që organizon zgjedhjet, menaxhon stafin dhe buxhetin, siguron zbatimin e vendimeve të KQZ-së dhe garanton funksionimin e përditshëm të institucionit. Për këtë arsye, posti konsiderohet një nga pozitat më me ndikim në administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Osmani dhe Haxhiu nuk e zbatuan Kushtetutën
Ish-presidentja Vjosa Osmani ndonëse kishte kohë të mjaftueshme të vendos për të plotësuar përbërjen e plotë të KQZ-së nga Aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese (KO81/26), i datës 30 mars 2026, e para e shtetit do ta braktisi këtë pozitë duke lënë një ulëse të zbrazët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Mosveprim i Osmanit ishte jo vetëm moszbatim i Kushtetutës, por edhe i praktikës se saj kushtetuese që ka krijuar vet ajo.
Kjo pasi në vitin 2021, Osmani kishte vendosur që kjo ulëse t’i takonte Partisë Demokratike të Kosovës, duke e çuar në dy numrin e përfaqësuesve të kësaj partie në KQZ dhe duke refuzuar kërkesën e VV-së për emërimin e anëtarit të 3-të në këtë institucion që organizon zgjedhje në vend.
Osmani, çështjen e kompletimit të KQZ-së, e la në dorë kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga 5 prilli u bë ushtruese e detyrës së presidentit.
As Albulena Haxhiu nuk ndërmori asnjë hap për ta kompletuar përbërjen e KQZ-së.
Tri ditë pasi që ishte vendosur në presidencë, Haxhiu kishte fajësuar Osmanin që nuk e përfundoi emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke premtuar se do t’i trajtojë të gjitha çështjet me prioritet.
Ndonëse disa herë kishte deklaruar se po e shqyrtonte këtë çështje, Haxhiu nuk ndërmori asnjë hap në këtë drejtim.
Në këtë mënyrë, ajo lejoi që zgjedhjet e qershorit, për herë të parë, të mbahen me një KQZ të pakompletuar.