Izraeli ngre aktakuzë ndaj 12 rojave të burgut pas rrahjes për vdekje të një të burgosuri palestinez
Dymbëdhjetë rojave të burgut u është ngritur aktakuzë për vrasje nga pakujdesia për vdekjen e të burgosurit palestinez, Thaer Abu Asab, në nëntorin e vitit 2023, i cili ishte rrahur rëndë në qelinë e tij në burgun “Ketziot” në Shkretëtirën e Negevit.
Abu Asabi kishte pësuar çarje në muret e zemrës në anën e majtë dhe disa brinj të thyer si rezultat e rrahjes, e cila kishte çuar në dështim kardiak dhe vdekje, thuhet në aktakuzë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit Shtetëror në Gjykatën e Qarkut në Beersheba, oficeri i lartë i burgjeve, Walid Hatib, i nisi dhe i mbikëqyri rrahjet. Ai urdhëroi 11 roje burgu në pjesën e burgut për të cilin ishte përgjegjës që të hynin në njërën nga qelitë dhe t’i rrihnin të burgosurit më 18 nëntor 2023.
Menjëherë pas hyrjes në qeli, siç u dha si hollësi më lart, të pandehurit, duke vepruar së bashku, i rrahën të ndjerin dhe të gjithë të burgosurit e tjerë në qeli me grushte dhe i shqelmuan. Disa prej tyre i goditën të burgosurit me forcë me shkopinj, ndërsa disa prej të burgosurve ishin shtrirë në dysheme, duke bërtitur e qarë nga ashpërsia e goditjeve” – thuhet në aktakuzë.
Më tej, në aktakuzë thuhet se Hatibi i udhëhoqi rojat e burgut drejt qelisë, hyri në të me ta dhe rrahu të paktën një të burgosur, ndërkohë e mbikëqyri sulmin fizik ndaj të burgosurve të tjerë nga rojat e tjera të burgut dhe, pastaj, pas disa minutash, i urdhëroi rojat e burgut që të ndaleshin dhe të largoheshin.
Në aktakuzë thuhet se rojat e burgut kishin për synim që t’i dëmtonin fizikisht të burgosurit dhe ishin të vetëdijshëm se rrahjet mund të çonin në vdekjen e viktimave të tyre.
Abu Asabi, 38 vjeç në kohën e vdekjes, ishte anëtar i lëvizjes Fatah dhe ishte burgosur nga viti 2005 nën akuzën për vrasje në tentativë.