LDK origjinale nuk i nënshtrohet Kurtit, 6 deputetë dalin kundër marrëveshjes me VV-në - NACIONALE

LDK origjinale nuk i nënshtrohet Kurtit, 6 deputetë dalin kundër marrëveshjes me VV-në

1 orë më parë

nga NACIONALE

Gjashtë deputetë kandë dalur kundër marrëveshjes së Kryetarit Lumir Abdixhiku, me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për Bekim Sejdiun President të Kosovës. Në mbledhje të grupit parlamentar të LDK-së, të mbajtur këtë të martë, Gazeta Nacionale ka mësuar se gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalur kundër.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtm Shala kanë dalur kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për President, duke mos u nënshtruar ndaj Abdixhikut e Vjosa Osmanit.

A janë 80 vota?

Partia Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar pajtim për kandidatin dypartiak për president, Bekim Sejdiun.

Ujdia e arritur më 31 gusht, u paraqit si përpjekje për të shmangë tjetër krizë institucionale dhe zgjedhje të reja.

Kandidatura e pajtuar për ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese ka gjetur kundërshtim nga PDK-ja dhe Aleanca, ndërsa dyshime serioze janë shfaqur edhe brenda vetë LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se negociatat me Albin Kurtin nisën më 9 korrik dhe zgjatën disa javë dhe se Sejdiu ishte përfundimi i përbashkët.

“Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese”, deklaroi Abdixhiku pas takimit ku u finalizua marrëveshja mes dy partive.

Pas shqyrtimit të disa emrave, VV-ja dhe LDK-ja u dakorduan për profesorin universitar dhe ish-gjyqtarin kushtetues, Bekim Sejdiu.

“Jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesor doktor Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku, duke e paraqitur si figurë me përvojë.

Sejdiu ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nga 2015 deri më 2021, ndërsa është profesor universitar që nga viti 2002.

Ai gjithashtu ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork, duke ndërtuar profil juridik e diplomatik.

Vetë Sejdiu e pranoi kandidaturën, duke e cilësuar atë si përgjegjësi të madhe ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Është besim i madh, është nder i madh. Unë e kam pranuar këtë propozim”, tha Sejdiu pas marrëveshjes politike.

Por rruga drejt Presidencës nuk varet vetëm nga marrëveshja VV-LDK të cilët qëndrojn, nëse arrijnë të jenë kompakt, në 80 votëshin e brishtë minimal.

Në dy rundet e para nevojiten 80 vota nga 120 deputetët, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.

Megjithatë, edhe rundi i tretë ka kusht të prerë: në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

PDK-ja ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë Sejdiun, pavarësisht se e njeh prej kohësh profilin e tij institucional.

“Kryesisht, qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha Bedri Hamza për Kosovapress.

Hamza tha se VV-ja dhe LDK-ja “matematikisht i kanë” numrat, por prania dhe vota e secilit deputet mbetet çështje tjetër.

Sipas tij, Sejdiu nuk ka zhvilluar asnjë komunikim me PDK-në për të kërkuar mbështetje, çka e vështirëson më tej konsensusin.

“Vonë është tashmë”, u përgjigj Hamza kur u pyet nëse PDK-ja do të pranonte takim me kandidatin për garanci institucionale.

Edhe Aleanca e ka refuzuar marrëveshjen, duke thënë se nuk ndihet e obliguar nga një dakordim mes dy partive.

“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshjeje”, tha Ardian Gjini për Indeksonline.

Ai e kritikoi ashpër qeverinë dhe paralajmëroi se vendi ndodhet përballë problemeve ekonomike, sociale dhe ndërkombëtare.

Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ishte edhe më i drejtpërdrejtë ndaj kandidaturës, duke deklaruar se nuk e njeh Sejdiun.

“Duhet me qenë shumë i poshtër, meqë janë pajtuar për të”, tha Berisha kur u pyet nëse do ta votonte.

Lajme të ngjashme