Trumpi thotë se, për marrëveshjen bërthamore, Arabia Saudite duhet ta njohë Izraelin - NACIONALE

Trumpi thotë se, për marrëveshjen bërthamore, Arabia Saudite duhet ta njohë Izraelin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite për ta ndihmuar Riadin që të zhvillojë energji bërthamore varet nga njohja e Shtetit të Izraelit nga Arabia Saudite, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

“Marrëveshja Bërthamore Civile (Nuk do të ketë pasurim të materialit!)... e cila i takon vetëm përdorimit jo-ushtarak... do të miratohet, por është tërësisht subjekt i bashkimit të Arabisë Saudite me Akordet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit” – shkroi Trumpi në rrjetin “Truth Social”.

Akordet e Abrahamit, të ndërmjetësuara nga Trumpi, e kanë sjellë njohjen e Izraelit nga pesë shtete, përfshirë dy vende arabe, raporton televizioni BBC.

Arabia Saudite ka thënë më parë se nuk do ta njohë Izraelin pa themelimin e një shteti palestinez.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i nënshkruan Akordet e Abrahamit, duke rezultuar në një normalizim historik të marrëdhënieve mes Izraelit dhe dy vendeve arabe.

Këto marrëveshje janë nënshkruar edhe nga Sudani, Maroku dhe Kazakistani.

Arabia Saudite deri më tani nuk u është përgjigjur komenteve të Trumpit, të cilat vijnë pas kritikave nga ekspertët se marrëveshja e njoftuar të mërkurën mund të paraqesë rrezik për pasurim bërthamor në të ardhmen në një rajon tashmë jostabil.

Nuk qe menjëherë e qartë nëse kushti për t’iu bashkuar Akordeve të Abrahamit është i përcaktuar në tekstin e marrëveshjes bërthamore, e cila nuk është publikuar, apo nëse Arabia Saudite është pajtuar me këtë kusht.

Televizioni BBC e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për koment.

Ndërkohë, Izraeli e mirëpriti deklaratën e Trumpit. Duke shkruar në rrjetin X, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se bashkimi i Arabisë Saudite në Akordet e Abrahamit “do të ishte një hap historik përpara për paqe në Lindjen e Mesme”./Nacionale

Lajme të ngjashme