Lawfare: Lufta e Padive ose triumfi i radikalizmit fetar - NACIONALE

Lawfare: Lufta e Padive ose triumfi i radikalizmit fetar

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Në rrethanat e një boshllëku të madh shoqëror, nën kriza të pambarimta politike e me një parti populiste, themelet e shtetit sekular të Kosovës po dobësohen nga dita në ditë. Gacat e ekstremizmit fetar janë kudo edhepse shteti bëhet sikur nuk i sheh dhe AKI-ja as nuk i shkruan në defter. Tash sa kohë, grupe të caktuara i janë kthyer një strategjie e taktike që po e korrupton edhe sistemin e drejtësisë. Ndër ekspertë perëndimorë këto marifete njihen si ‘lawfare’, dhe vetë termi përshkruan përdorimin e padive për të mbivendosur një grup fetar e për ta imunizuar atë nga kritikat me kërcënime për konsekuenca ligjore. Ideja e padive të tilla nuk është aq fitorja në gjykatë sa krijimi i një mjedisi dekurajues, frikësues e vetëcenzurues. Strategji e taktika të tilla, pra lufta e padive, zanafillojnë nga dokumente organizatash militante që Perëndimin e ndjesojnë si armik. Ashtu si ekuivalentet në Perëndim, edhe institucionet e drejtësisë në Kosovë po vihen përballë sprovash që përdoren nga ‘Vëllazëria Myslimane’.

23 korrik 2026 – Një hulumtim i NACIONALE-s që do të zbardhet së shpejti është fare afër për t’i rënë në fije një rrjeti tejet aktiv të elementeve ekstremiste e prozelitiste.

Pas zbardhjeve me ‘gratë e Vetëvendosjes’, ku militantë të partisë në pushtet përdorin identitete të rreme femrash, edhe njerëz që asociohen me qëndrime radikale islamike po përdorin pothuajse të njejtat rrengje.

Siç është shkruar edhe më parë, mbështetur në studime të ekspertëve të sigurisë, një nga strategjitë kryesore të luftës hibride në internet është përdorimi i profileve dhe faqeve me autorësi anonime.

Pjesa më e madhe e tyre mbajnë emra figurash e personalitetesh historike – madje të tilla si ‘Shqipëria etnike’, ‘Kombi’, ‘Shqiptarët’ – me të cilat arbitrarisht shpërhapen pozicione ekstremiste e radikale fetare.

Sipas ekspertëve, këto marifete duan të krijojnë një miksturë mes nacionalizmit dhe religjionit, ose ne raste t’i japin nacionalizmit sekular një permbajtje islamike.

Një rreng po luhet para Prokurorisë Speciale

Dorëpërdore me luftën kibernetike është duke u vënë në përdorim edhe një strategji fare pak e vënë re në praktikat juridike në vend.

Nga viti i kaluar, ka gjithnjë e më shumë raste të organizuara që po trokasin me ‘padi’ në dyert e Prokurorisë Speciale.

Në pjesën më të madhe, dorëzuesit e padive në prani të kamerave njoftojnë procedimin e tyre anipse praktikat normale të gjësë nuk e kanë të nevojshme përcjelljen me kamera.

Paditës e të paditur bëhen bashkë nga mëtimi i të parëve se të dytët po konsumojnë vepra penale për të cilat parashihet fshikullim me Kod Penal.

Është fjala për Nenin 141 për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, ku legjislacioni i shtetit të Kosovës parasheh dënime me gjobë e burgim për këdo që zihet me nxitje apo përhapje të urrejtjes, përçarjes e mosdurimit “midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera”.

Padi e paditës me agjenda

Prima facie, krijimi i një kulture qytetare me ndjeshmëri ndaj ruajtjes së larushisë etnike e fetare në vend do të ishte ideali i këshillueshëm për themele të forta të një demokracie sekulare.

Megjithatë, praktika e padive, shpesh me prapavija eksplicite, duket se po e përfton një aso realiteti ku sistemit juridik i shfrytëzohen hapësirat e brendshme për t’i bërë vend luftës ligjore kundër tjetrit.

Pjesa më e madhe e padive të tilla, që dorëzohen para Prokurorisë Speciale, bëhen nga njerëz që publikisht afishohen si islamistë.

Po kështu, pjesa më e madhe e të paditurve janë njerëz defiantë ndaj asocimit me përkatësi fetare ose edhe ndaj manifestimeve radikale të religjionit.

Kështu do të përshkruhej nga një perspektivë observante gjendja e paditësve dhe të paditurëve – pjesa tjetër e procedimit, afërmendsh, që është në dorën e vetë Prokurorisë dhe Gjykatës.

Ç’është lawfare?

Në shqip, termi i rishmë juridik lawfare nuk ka një gjegjëse të saktë.

Me shumë përpjekje, ai do të përkthehej diçka si ‘luftë ligjore’ ose ‘luftë e padive’.

Sado së jashtmi duket fare normal, termi në të vërtetë është gjuhësim i studiuesve për të përshkruar “përdorimin e ligjit si mjet lufte apo ndjekje qëllimesh strategjike nëpërmjet manovrave agresive ligjore”.

Me një përkufizim të kësofarshëm, juristët nga ShBA-ja, Brooke Goldstein dhe Aaron Eitan Meyer, e kanë tjerrë teorikisht problemin në fjalë.

Sipas tyre, taktikat e lawfare janë përdorur për të fituar epërsi morale ndaj ‘armikut’ përballë opinionit publik dhe për të mbjellë frikë te njerëzit e shtetit kurdo që është puna për të qenë dorëhekurt ndaj radikalizmit fetar.

Por, problemi me lawfare nuk është vetëm implikimi i tij sa edhe historia e tij fort e errët.

Autorët në fjalë vërejnë se “doracakët trajnues të Al Qaeda-s i mësojnë militantët e tyre që të dorëzojnë pretendime për tortura apo forma të tjera abuzimi ashtu që ta ripozicionojnë veten si viktima të atyre që i arrestuan”.

Diçka që filloi nga e ashtuquajtura ‘Vëllazëri Myslimane’

Lufta me padi është veçse një nga mënyrat sesi operon prozelitizmi islamik në kontekste demokracish perëndimore ose sekulare.

Vetë organizata Vëllazëria Myslimane i kishte kodifikuar luftë-paditë në dokumentin e saj strategjik për Amerikën Veriore të quajtur “Një Memorandum Shpjegues: Mbi Qëllimin e Përgjithshëm Strategjik për Grupin” të shkruar qysh më 1991 nga udhëheqësi i Hamasit, Mohammed Akram.

Brenda tekstit të tij kishte edhe formulime të tilla ku bëhej i ditur se qëllimi i tyre i fundmë ishte “në eliminimin dhe shkatërrimin e qytetërimit perëndimor nga brenda dhe ‘sabotimin’ e shtëpisë së tij të mjerë me duart e tyre dhe duart e besimtarëve…”

Duke i cilësuar si marifete të përdorura nga radikalistë e ekstremistë fetarë, Brooke Goldstein, gjatë një fjalimi të tij në Forumin për Lindjen e Mesme, i kishte profiluar lëvizjet islamiste si të përbëra nga një krah i dhunshëm e një tjetër islamist.

Teksa i pari nuk kursehet nga aktet fizike të dhunës, ky i dyti “manovron shkathtësisht brenda sistemeve legale perëndimore”.

Sipas Frank J. Gaffney-t nga Qendra për Politika të Sigurisë, lawfare – domethënë përdorimi i padive dhe instrumenteve të tjera juridike për të arritur qëllime politike – është kthyer në armën e preferuar të Vëllazërisë Myslimane dhe lëvizjeve të tjera që kanë frymëzime për xhihad global.

Me padi të tilla, sipas tij, synohet që të krijohen e promovohen narrativa viktimizuese për islamin.

Ata kërkojnë që të heshtin kritikët e tyre e t’i vendosin publikun amerikan dhe politikëbërësit në defanzivë përballë kërcënimeve globale e të brendshme të xhihadit”, thekson Gaffney.

Në shumë raste, sidomos kur bëhet fjalë për Vëllazërinë Myslimane, përdoren “ligjet tona” (amerikane – v.j) për të frikësuar dhe shtypur këdo që guxon t’i kundërvihet supremacizmit islamik.

Duke përdorur mantelin e ligjit për agjenda fetare

Një nga kronikat më interesante që shtie dritë mbi këto malverizime nga aktivistë islamistë shpaloset në faqet e librit “Pranvera e humbur” nga studiuesi libanezo-amerikan, Walid Phares.

Duke veshur mantelin e lirive civile, lober islamike i kthyen sallat e gjykatave në skena ku zbatuan ‘luftëpaditë’ e tyre.

Vëllazëria Myslimane dhe entitetet proiraniane, kudo në ShBA e Evropë, i çuan në gjykata zërat e penat e krejt atyre që i akuzonin paushallçe për ‘shpifje’ ndaj fesë.

Avokatët e tyre ngrenin padi ndaj një numri të pafundmë blogerësh, shkrimtarësh, dijetarësh e shërbyesish publikë”, shkruan Phares.

Shkëputje nga libri i Walid Phares-it “The Lost Spring” (St. Martin's Press, 2014) ku shpjegohet puna e luftëpadive siç përdoren nga aktivistët e organizatave islamike e proiraniane.

Luftë-paditë me synime strategjike e taktike

Në një studim tepër depërtues mbi paditë e tilla, avokati amerikan David Yerushalmi vë në pah se këto taktika gjakojnë së paku tre qëllime.

Së pari, luftëpaditë përçapen strategjikisht ta ndryshojnë politikën publike nëpërmjet vendimeve të favorshme të gjykatave apo deklarimeve detyruese.

Së dyti, luftëpaditë përçapen taktikisht të ndryshojnë sjelljen e zyrtarëve publikë përmes padive apo kërcënimeve për padi.

Me këso padish, sipas Yerushalmit, “fitorja nuk kërkon domosdoshmërisht një vendim të favorshëm gjykate”.

Vetë fakti që ngrihet padi e cila merr kohë, shpenzon financa dhe mbulohet mediatikisht ka potencialin që të ndikojë sjelljen poaq efikitivisht sa një vendim gjykate.

Ndër vite, luftëpaditë shkuan larg përtej avantazheve morale përballë shteteve e fitoreve ndaj akterëve qeveritarë.

Taktikat e tilla përjetuan një përdorim eksponencial nëpër gjykatat në ShBA e Evropë, duke shenjëstruar individë që ishin në ballë të fushatave për informimin e publikut mbi rreziqet e islamizmit radikal.

Shtetet islamike, organizatat dhe individët me mundësi financiare kanë shkrehur ‘xhihadin ligjor’, duke dorëzuar një vistër padish malicioze, nëpër gjykata në Amerikë e gjetkë, me qëllim që të ndëshkojnë e heshtin të gjithë ata që angazhohen në diskursin publik mbi islamin radikal. Padi të tilla përdoren si armë e luftës kundër ekspertëve antiterroristë, personelit ligjzbatues, politikanëve, dhe kujtdo që punon për përhapjen e informacionit mbi terrorizmin islamist dhe burimet e tij të financimit. Paditë shpesh janë grabitqare, të bëra pa ndonjë pritshmëri serioze se do të fitohen dhe të ndërmarra si mjet për të frikësuar, demoralizuar e bankrotuar të paditurit. Pretendimet shpesh janë të mbështetura në akuza të kota që fillojnë nga shpifja e ngacmimi në punë, e deri te ‘gjuha e urrejtjes’ e ‘islamofobia’”, shkruajnë Goldstein dhe Meyer.

Një sistem orwellian për të kontrolluar mendimin e lirë

Autorët juristë nga ShBA në studimin e tyre vënë re se këto taktika kanë kaluar edhe në një shkallë më sipër.

Përpjekje të tilla me lawfare janë ashtu që cilado kritikë ndaj Islamit të barabitet me krim ndaj njerëzimit.

Fjala bjen, organiziata islamike, si Lidhja e Botës Muslimane, kaherë kërkojnë që të krijohet një komision i pavarur që do të merrte masa ndaj kujtdo që e zë në gojë ndonjë aspekt të fesë.

Falë diplomacisë e lobimeve, shtete islamike ia dolën mbanë që ta vinin në lëvizje edhe Komisionin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Kështu, kjo organizatë botërore do ta miratonte Rezolutën 7/19, një dokument që, sipas juristëve amerikanë, e kthente konceptin e të drejtave të njeriut në një instrument orwellian për të kontrolluar mendimin.

Ndaj anomalive të Rezolutës në fjalë kishte reaguar edhe Qendra Evropiane për Ligjin dhe Drejtësinë.

Në raportin bindës që dorëzoi para Komisionerit të Lartë të OKB-së, kjo qendër theksonte se liria e fesë nuk nënkupton liri carte blanche që praktikimi i fesë të jetë pa kritika.

Ndërkohë, përfundimet e Goldsteinit dhe Meyerit mbi luftëpaditë janë paksa të zymta për të ardhmen.

Të dy autorët thonë se ajo çka po ngjan është manipulimi i sistemeve perëndimore të drejtësisë, përdorimi i ligjeve perëndimore për ‘gjuhën e urrejtes’, dhe produktet e tjera të korrektimit publik për të shkatërruar parimet themelore të demokracisë. /Nacionale/



Lajme të ngjashme