Ashpërsimi i Borrellit ndaj Kosovës: Qysh po 'priten' fjalët e kryediplomatit në vendin tonë? - NACIONALE

Ashpërsimi i Borrellit ndaj Kosovës: Qysh po 'priten' fjalët e kryediplomatit në vendin tonë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel.

Kjo fillimisht u konfirmua nga Vuçiq, që përmes një deklarate nxitëse: "na presin ditë të vështia e net pa gjumë", shtoi se palët nuk u morën vesh për asgjë.

Në anën tjetër, Kurti deklaroi se ka pasur kërkesë të vazhdohet me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin dhe prodhimin e targave.

“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve”.

Veç kësaj, shefi i ekzekutivit tregoi se Borrell hoqi dorë nga afati i mëparshëm për një marrëveshje para Marsit 2023 dhe propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel, për tu marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që, përfaqësuesi lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati marsi 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”.

Reagime

Pak çaste pasi u mësua se palët nuk arritën marrëveshje, u panë dhjetëra reagime "pro" dhe "kundër" BE-së e emisarit Borrell.

Kujtojmë ky i fundit ka thënë se Kurti refuzoi propozimin e BE-së, ndërsa Vuçiqi po.

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi ka reaguar me një shkrim në Twitter ku ka thënë se nëse lidershipi i BE-së fajëson drejtpërdrejt dhe pa mëdyshje Kosovën për dështimin e arritjes së marrëveshjes në dialog.

Ai tutje ka thënë se nëse qeveria amerikane është shprehimisht e “zhgënjyer” me sjelljen e Kosovës; nëse të gjithë aleatët tanë po na drejtojnë gishtin, ndoshta ka ardhur koha të reflektojmë pak. Jo?

Rreth kësaj çështjeje ka shkruar edhe gazetari i Wall Street Journal, Laurence Normann.

Normann bëri një postim në profilin e tij në Facebook pas qortimeve të ashpra që i dha Kosovës Bashkimi Evropian me anë të kryediplomatit të saj Josep Borrell.

“Pas viteve që pasuan dialogun, kurrë s’e kam parë Brukselin të kritikojë kaq rëndë Kosovën. Është e paprecedentë. Me gjasë reflekton zemërimin e vërtetë ndaj Albin Kurtit. Shumë pakënaqësi evropiane kishte për mënyrën se si politika amerikane u mor me këtë çështje nën administratën Trump, por e vërteta është se gjërat janë edhe më keq.” – tha z. Normann në llogarinë e tij në Twitter.

Kujtojmë se gazetari Laurence Norman mbulon Evropën për prestigjiozen amerikane Wall Street Journal.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se deklaratat e Kryediplomatit evropian, Joseph Borrell, dhe e BE-së, ishin tejet kontradiktore dhe jo-neutrale në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, deri dje është kërkuar që palët palët të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, e të mos merren me kriza, sikur kjo për targat.

Cakolli thotë se sot palët (veçanërisht Kosova) po kritikohen pse nuk arritën marrëveshje ekskluzivisht për targat, në vend se të diskutohet për një marrëveshje për normalizim të plotë.

“Madje, jashtë çdo norme, parimi e praktike evropiane, kërkohet nga Kosova që sundimi i ligjit të mos jetë pretekst për tensione dhe eskalim. Prej kur sundimi i ligjit qenka i negociueshëm për shkak të tensioneve?WTF?!”, ka shkruar Cakolli.

Pak më i ashpër ishte Rron Gjinovci. Aktivisti kosovar kritikoi BE-në, duke lavdëruar Kurtin për paraqitjen.

Madje, Gjinovci i etiketoi si "papaka" pararendësit e Kurtit në karrigen e dialogut.

Në anën tjetër, aktivisti i Partisë Social-Demokrate, Azdren Shala, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook në lidhje me zhvillimet e fundit dramatike nga Brukseli ku u njoftuam për dështim të bisedimeve, dhe ku faji kryesor po i bie Kosovës.

“Po shpresoj shumë që Amerika mos me braktis parimin që u ndihmon popujve, edhe përkundër udhëheqësve budallë që mund t’i kenë popujt.” – ka thënë z. Shala në profilin e tij në Facebook që është edhe anëtar kryesie i partisë së tij.

Pak më interesant ishte edhe reagimi i deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

Berisha, me një gjuhë pak popullore, "motivoi" Kurtin që ta nisë drejt Evropës brigadën e Tik-Tokut.

Nuk besohet që ShBA-të ta kenë një parim të tillë, por në anën tjetër dihet se BE-ja e ka qortuar ashpër Kosovën duke u shprehur edhe se do të informonte partnerët e saj dhe shtetet anëtare në lidhje me sjelljen e palëve, e sidomos të Kosovës.

Reagimet ndërkohë nuk pushojnë pas këtyre zhvillimeve nga të gjitha anët, derisa kanë mbetur vetëm edhe më pak se 14 orë deri në nisjen e fazës së gjobave për qytetarët serbë me targa ilegale.

Lajme të ngjashme