Fjala e vitit e opozitës e "puna" e vitit e Qeverisë – tenderët njëburimorë - NACIONALE

Fjala e vitit e opozitës e "puna" e vitit e Qeverisë – tenderët njëburimorë

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kontratat njëburimore apo tenderët njëburimorë ishin ndër fjalët më të përmendura të vitit 2024. Plot akuza e kundërakuza u bënë ndaj pushtetit e opozitës për tenderët njëburimorë, të cilët ligjërisht përshkruhen si “procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës”. E këta tenderë tashmë kanë filluar të hetohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, hetimet e së cilës pritet të shihen gjatë vitit 2025.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, tenderët njëburimorë mund të përdoren në disa raste specifike, por nuk dihet nëse në të gjitha kontratat njëburimore është respektuar ligji, prandaj edhe kanë filluar hetimet.

Rrjedhimisht, për këto kontrata njëburimore pati debat gjatë tërë vitit 2024.

Sipas partive opozitare, këta tenderë iu dhanë dostave e bizneseve të afërta me Qeverinë Kurti e me ministrat e kësaj qeverie.

Ndërkaq, Qeveria Kurti i mohoi këto akuza, bile theksoi se ka rënie të numrit të kontratave njëburimore.

Sipas të dhënave, besohet se janë shpenzuar rreth 273 milionë euro me kontrata njëburimore.

Për këtë çështje, Prokuroria e Kosovës e ka filluar hetimin e rreth 1 mijë 700 kontratave njëburimore.

Çka thonë të dhënat?

Deri më tani, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk e ka publikuar numrin e kontratave njëburimore për vitin që po e lëmë pas.

Mirëpo, kontratat njëburimore gjatë vitit 2023 kishin shënuar rritje për gati 39 milionë euro më shumë se në vitin 2022.

Ndërkohë, raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thekson se gjatë vitit 2023 janë nënshkruar 10 mijë e 83 kontrata me vlerë prej 810 milionë eurosh.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), në raportin vjetor për vitin 2023, ndër të tjera e ka konfirmuar shtimin e nënshkrimit të kontratave njëburimore.

Gjatë vitit 2023, në Kosovë ishin zhvilluar 12 mijë e 397 aktivitete të prokurimit dhe ishin nënshkruar 10 mijë e 83 kontrata në vlerë të 810 milionë e 438 mijë eurove apo rreth 251 milionë e 420 mijë euro më shumë se në vitin paraprak.

Sidoqoftë, ajo që duhet të theksohet është se, sipas këtij raporti, 117 milionë e 258 mijë euro ishte vlera e kontratave që ishin nënshkruar duke e ndjekur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Këto kontrata patën shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, kur vlera e tyre ishte 78 milionë e 569 mijë euro. Pra, në vitin 2023 është rritur vlera e kontratave për 38 milionë e 689 mijë euro apo për 49,22 për qind më shumë se në vitin 2022.

Ndërkohë, në raport ishin treguar edhe vlerat e kontratave në të cilat janë ndjekur procedurat e tjera të prokurimit publik.

“Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur gjatë vitit 2023 është 665,768,974.50€, derisa sipas procedurës së kufizuar gjatë vitit 2023 13,176,422.33€. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës konkurs projektimi, gjatë vitit 2022,është 3,037,845.48€, dhe sipas procedures konkurruse me negociata, gjatë vitit 2023 është 112,7540.74€, kurse sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës është 117,258,922.10€ dhe vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur kuotim i çmimeve, gjatë vitit 2023 është 7,799,039.20€. Ndërkaq, sipas procedurës për vlerë minimale, vlera e kontratave të nënshkruara, gjatë vitit 2023,është 2,269,659.05€.” – thuhet ne raport.

Ndërkohë, tenderët njëburimorë kishin shënuar rritje edhe gjatë vitit 2022. Kështu bëhet e ditur në raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Vlera e tendërve njëburimorë është rritur për 14 për qind apo në më shumë se 78 milionë euro - për 26 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Gjatë vitit 2022, institucionet e Kosovës (162 sosh) kanë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata publike apo 403 kontrata publike më shumë se në vitin 2021, me vlerë të 559 milionë eurove.

Sipas raportit të KRPP-së, del që përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës (njëburimore) është rritur për dallim nga viti 2021.

Ky lloj i procedurës, që nuk rekomandohet dhe që vlerësohet se ofron mundësi për keqpërdorime, ka shënuar rritje për 14 për qind.

78 milionë e 569 mijë euro është vlera e kontratave që janë nënshkruar duke u praktikuar procedura e tenderëve njëburimorë, ndërsa në vitin 2019, kur në pushtet ishte një kabinet tjetër qeveritar, vlera e tyre ishte 68 milionë e 443 mijë euro.

Lajme të ngjashme