A është Glauk Konjufca shik si kryetar i Kuvendit? - NACIONALE

A është Glauk Konjufca shik si kryetar i Kuvendit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

A është Glauk Konjufca shik si kryetar i Kuvendit? Nuk po flasim për SHIK-un, ish-shërbimin e Inteligjencës që drejtohej nga Kadri Veseli, por për fjalën shik, që fjalori e përcakton si “mënyrë elegante e me shije të stërholluar”. Pra, a është Glauk Konjufca shik?

“Deputetëve të mazhorancës, Halil Thaçi, Mefail Bajqinovci, Arieta Fejza dhe Mirlinda Tishukaj-Sadikaj, nuk do t’ua jap fjalën, sepse kjo është një pjesë ku parashihet të ketë debat mes opozitës dhe ministrave, dhe jo mbrojtje prej deputetëve të mazhorancës!’’

“Po du me i dhënë të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje, dhe kam dalë e kam thënë qe është gabim!”

‘’Ministre, me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës!’’

Këto tri deklarata të thëna nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, janë të seancave të fundit në Kuvend. Kryetari Konjufca po kërkonte nga deputetët e partisë së cilës i takon, Vetëvendosjes, që të ndalen dhe fjalën t’ia kalonte opozitës.

Te deklarata e parë të cilën e kemi cituar, në seancën e 14 prillit ku po flitej për gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për reformën në Kamenicë, 4 deputetë të VV-së kërkuan fjalën. Konjufca iu përgjigj menjëherë deputetëve të partisë së tij, se nuk do t’ia jepte fjalën, pasi ky debat ishte paraparë të zhvillohet mes opozitës dhe ministrave dhe jo për t’i dalë në mbrojtje deputetëve të mazhorancës.

Pas kësaj seance, ishte seanca e 19 prillit ku flitej për futjen në rend të ditës të mocionit për formimin e Komisionit Hetimor, i cili u kundërshtua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ngjashëm si partia e tij, Konjufca nuk e kundërshtoi.

Ai tha se do t’i japë të drejtë opozitës, sepse sipas tij gjatë kohës sa ishte kryetar i Grupit Parlamentar, iu kishte mohuar kjo çështje, dhe të njëjtën e kishte cilësuar si gabim.

Ndërsa në seancën e 28 prillit, Konjufca u “përplas” pak me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ishte duke folur për raportin e Freedom House, ku flitej për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. PDK kërkonte replikë, por Konjufca fjalën ia kishte dhënë, Haxhiut. Andaj, opozita filluan të bënin zhurmë duke i godituar tavolinat me duar.

Konjufca i kërkoi mirëkuptim ministres Haxhiu, që t’i jepte fjalën opozitës.

Por, ministrja refuzonte me këmbëngulësi duke thënë se nuk do të lëvizë pa e përfunduar fjalën.

Duke e parë që bashkëpartiaku i saj Konjufca nuk po e ndryshonte qëndrimin, ajo shkoi tek foltorja e tij, por i njëjti, nuk u mor fare me të.

Por, a do të thotë kjo se Konjufca po “përkrah” opozitën, apo vetëm po zbaton rregulloren e Kuvendit?!

Opozita thonë: JO, vetëm zbaton rregulloren!

Ganimete Musliu, deputete nga PDK, për Nacionalen thotë se Konjufca nuk e favorizon opozitën, por përpiqet ta respektojë rregulloren. Madje, ai është i vetëdijshëm që partia e tij ngjajnë me maturantë.

Glauk Konjufca është deputet me përvojë të gjatë parlamentare dhe nuk është që po e favorizon opozitën, ai thjesht po përpiqet ta respektojë rregulloren e Kuvendit.
Grupi parlamentar i VV-së, përveç që është grupi më i madh parlamentar në numër është edhe grupi më i padisiplinuar. Shpesh ngjajnë me një klasë maturantësh që në fundvit nuk u intereson asgjë, vetëm të argëtohen.
Konjufca është i vetëdijshëm për këtë, prandaj i bjen që edhe t’ua tërhjekë vërejtjen herë pas here”,
thotë Musliu.

Ndërsa Armend Zemaj, deputet nga LDK, udhëheqjen e Konjufcës e sheh si përfaqësues i shumicës. Ani pse sipas tij, nuk e ka edhe të lehtë të shkëputet nga e kaluara opozitare.

Ka përvojë parlamentare, por jo të lehtë për t’u shkëputur nga e kaluara opozitare. Në shumë raste ia arrin të mbajë balancin parlamentar në mes grupeve politike. Ka edhe raste në të cilat bëhet rival i VV-së. Por në përmbajtje dhe vendime është prapë përfaqesues i shumicës”, thotë Zemaj për Nacionalen.

Ngjashëm mendojnë edhe nga AAK-ja. Deputetja Time Kadrijaj thotë se edhe më herët, ka ndodhur që të bëhet lëshim me mirëkuptim, për fjalen e dhënë opozitës.

Kryetari i Kuvendit e udheheq seancën sipas rregullores. Ka ndodhë edhe më parë po edhe tash, që ndonjëherë bëhet ndonjë lëshim me mirëkuptim: kryekuvendari është menaxher i seancës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në seancë”, thotë Time Kadrijaj.

Si e shohin nga Instituti Demokratik i Kosovës punën e kryeparlamentarit Konjufca?

Ndërsa nga KDI, të cilët bëjnë monitorimin e punës së Kuvendit, udhëheqjen e seancave nga Konjufca e shohin të mirë pasi sipas tyre duket që gëzon edhe respekt nga kundërshtarët e tij politikë opozitarë.

Kryeparlamentari Konjufca ka treguar performancë të mirë, marrë parasysh faktin që po arrin të ruajë balancin mes fuqive politike në Kuvend dhe të menaxhojë përplasjet (që kohët e fundit kanë qenë të shumta) mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Konjufca duke qenë se ka edhe një karrierë të gjatë në politike, përveç se gëzon përkrahje popullore, nga ajo çka kemi parë deri tani në këtë legjislaturë, duket që gëzon edhe respekt edhe nga kundërshtarët e tij politikë opozitarë, gjë që ia ka lehtësuar atij menaxhim e punëve në Kuvend”, thotë Agnesa Haxhiu nga KDI.

Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit rreth mbarëvajtjes së seancave?

Sipas Rregullores së Kuvendit, nenit 41 të saj, Kryetari i Kuvendit kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend. Ai ia tërheq vërejtjen secilit deputet ose anëtari të Qeverisë, kur:

  1. a) diskutuesi shmanget nga çështja e shtruar për diskutim;
  2. b) gjatë mbledhjes e kryen ndonjë veprim, që e prish rregullin e punës së Kuvendit;
  3. c) në mbledhje sillet në mënyrë të pahijshme dhe të palejueshme;
  4. d) ngrit një çështje që është jashtë temës së debatit ose të mocionit; etj…

Si dhe Kryetari ka kompetencë të largojë nga mbledhja, të gjithë personat që nuk i respektojnë rregullat e Kuvendit.

Lajme të ngjashme