Borrell: Propozimi franko-gjerman e ka përkrahjen e 27 shteteve anëtare të BE-së
Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka thënë se shtetet anëtare të BE-së e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto deklarime spanjolli i konfirmoi gjatë konferencës për media të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.
Ai u bëri sërish thirrje palëve që të kthehen në dialog. Sipas tij, kjo është një detyrë që BE-ja e ka marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe po ashtu ai si lehtësues.
“Palët duhet të kthehen në dialog. Është një detyrë që BE-ja e ka marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe po ashtu unë si lehtësues. Kjo është esenciale për të dyja palët në rrugët evropiane.
Pas incidenteve në verë ne kemi vendosur një propozim për dy liderët, e kemi përditësuar atë javët e fundit, pas marrëveshjes së fundit që e arritëm për targat, e që shpresonim se me të evituam tensionet.
Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së”, ka thënë Borrell.
Pikat
Radio Evropa e Lirë, media e afërt me ShBA-të, mbrëmë tregoi në pika të trasha se çka përmban plani franko-gjerman.
Ky plan, i cili fillimisht gjeti mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, u është dhënë Kosovës dhe Serbisë qysh në fund të verës.
Sipas këtij plani, të paktën ashtu siç edhe e ka siguruar media në fjalë, nuk përmban njohje reciproke, por është shumë afër njohjes.
Disa nga pikat e tij, bëhet e ditur se janë të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
Siç shton tutje mediumi respektiv, propozimi i BE-së thotë se, sa i përket “nivelit përkatës të vetëqeverisjes” për serbët e Kosovës, “të dyja palët obligohen që të vendosin aranzhime të posaçme dhe garanci në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës, duke u bazuar në përvojat ekzistuese evropiane”.
Gatishmëria
Kryeministri i Republikës së Kosovës ndërkaq, Albin Kurti, në një konferencë për media tash e një muaj ishte deklaruar rreth këtij plani.
Siç ka thënë ai, ka pasur vërejtjet e tij, por që nuk e ka refuzuar. Gjithashtu, ai ripërsëriti atë që e kishte thënë edhe më parë: deri me 18 gusht të këtij viti, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje, por dialog për dialog.
“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyren time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez.
Pra, ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre. Por, unë nuk e kam kundërshtuar,", kishte thënë Kurti.



