‘Të flasë vetë ai’: Escobar pyetet për bisedën me Kurtin rreth kërkesës për zbatimin e Asociacionit
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka theksuar se duhet të fillojë puna për zbatimin e Asociaiconit të Komunave me shumicë serbe.
Diplomati amerikan edhe pas përfundimit të takimit me Kurtin, ku i pranishëm ishte edhe emisari evropian, Mirsolav Lajçak, e përmendi Asociacionin.
Një gazetar, duket se e ka pyetur emisarin amerikan për përgjigjen e Kurtit, rreth kësaj kërkese.
“Do ta lë që të flasë vetë ai.” – u përgjigj shkurt ai.
Çfarë tha Escobar rreth Asociaconit?
Escobar në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë, foli rreth Asociacionit. Ai ishte i qartë se punimet për zbatimin e kësaj marrëveshje, duhet të fillojnë menjëherë.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – tha ai për REL-in.
Duke folur për këtë çështje, Escobar shtoi: “Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.”
Diplomati amerikan ka shtuar se “të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur”.
Pyetur për deklaratat e liderëve të Kosovës se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Srpska, ai tha: “Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”.
