“Rasti i eskortës së Kurtit në Skenderaj”: Skandali në RTK që detyroi largimin e gazetares dhe ndëshkoi tre redaktorë që mbrojtën parimet profesionale
Presioni i menaxhmetit të RTK-së ndaj gazetarëve për të prodhuar kronika propaganduese për pushtetin nuk ka të ndalur.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në muajin maj të këtij viti, ku U.D. i Kryeredaktori i RTK-së, Blerim Haxhiaj, dhe Drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, kanë kërkuar të “ndërtohet” një kronikë rreth “incidentit” ndërmjet eskortës së kryeministrit Albin Kurti dhe automjetit të ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ky është shkaku kryesor, i cili e ka detyruar gazetaren Arlinda Sejda të largohet nga RTK pas një angazhimi 10-vjeçar në këtë televizion.
Burimet e gazetës brenda RTK-së kanë bërë me dije se pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti në një intervistë për KTV për këtë çështje, Haxhiaj dhe Gërvalla i kanë kërkuar gazetares Arlinda Sejda realizimin e një kronike për pretendimet e kryeministrit mbi premisën se një zyrtar i Policisë së Kosovës e kishte ndryshuar deklaratën e tij për këtë rast.
I njëjti burim i ka thënë gazetës se ndërhyrjet e shumta në këtë kronikë, e cila është transmetuar me datën 22 maj 2026 në edicionin e lajmeve qendrore në RTK, ka bërë që gazetarja Sejda të tërheq autorësinë e saj nga kronika.

Ky veprim i gazetares Sejda në mbrojtje të parimeve profesionale ka bërë që Blerim Haxhia dhe Rilind Gervalla të ia shtojnë presionin deri në aktin e dorëheqjes, të cilin e ka njoftuar dje.
Burimi në fjalë i ka thënë gazetës se gazetares i është kërkuar që kronika të mbulohet edhe me materiale vizuale të krijuara përmes inteligjencës artificiale.
Nëse shikohet kjo kronikë, e cila është gjatë gati 5 minuta, shihen këto materiale vizuale përmes të cilave synohet të simulohet ngjarjen në fjalë.

Presioni i menaxhmetit ndaj gazetarëve dhe redaktorëve të RTK-së nuk ndalet këtu.
Meqenëse kronika në fjalë pas ndërhyrjeve nga Haxhiaj nuk i përmbushte standardet profesionale, redaksia e mbrëmjes në RTK ka vendosur që atë të mos e transmetonte fare në edicionin e lajmeve të orës 23:00 të datës 21.05.2026.
Gazeta Nacionale ka mësuar se redaktorët Jehona Zhitia, Arton Molliqi dhe Valbona Ismaili vendimin për mostransmetimin e kësaj kronike joprofesionale e kishin marrë mbi bazën e vlerësimit editorial dhe profesional të materialit në fjalë.
I njëjti burim i ka thënë gazetës se redaktorët Zhitia, Molliqi dhe Ismaili kishin vlerësuar se kronika në fjalë nuk i plotësonte standardet editoriale dhe profesionale të cilat kërkohet nga Radio Televizioni i Kosovës.
Ky vendim i redaksisë së mbrëmjes e kishte nervozuar fort menaxhmentin e RTK-së.
Kjo kishte bërë që drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, i cili njihet si militant i VV-së, të merrte masa ndaj redaktorëve në fjalë.
Gazeta ka mësuar se për këtë veprim Gërvalla të tre redaktorëve në fjalë i kishte ndëshkuar me vërejte më shkrim.
Nëse shikohet kronika në fjalë, vërehet se ajo është e mbushur me formulime, interpretime dhe nuk është e balancuar në bazë të standardeve gazetareske.
Kronika në fjalë pretendon se rreziku për të cilin flet Kurti është konfirmuar në raportin policor.
Ky konkluzion nuk është i vërtetë sepse raporti policor në mënyrë specifike thotë se nuk kishte rrezik të drejtpërdrejtë dhe se në atë rast nuk janë konstatuar elemente të veprës penale.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë më 18 maj 2026 kishte deklaruar se në fillim të vitit 2025, gjatë një vizite në Skenderaj, ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt kishte tentuar, me veturë zyrtare, të ndërhynte në mënyrë të rrezikshme në qarkullimin e eskortës së tij.
Pas pretendimeve të Kurtit, Lushtaku e kishte publikuar raportin zyrtar të Policisë lidhur me rastin, ku shihet se mbrojtja e afërt e Kurtit ka deklaruar se vetura në të cilën ndodhej Lushtaku nuk e ka rrezikuar eskortën dhe nuk ka pasur rrezik të drejtpërdrejtë.
