Escobar edhe pas takimit me Kurtin përmend Asociacionin, Lajçak s’i komenton “1000 trupat serbe në veri” - NACIONALE

Escobar edhe pas takimit me Kurtin përmend Asociacionin, Lajçak s’i komenton “1000 trupat serbe në veri”

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Ka përfunduar takimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Situata në veri dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ishin disa prej temave që duket se janë diskutuar në këtë takim.

Diplomati amerikan, Gabriel Escobar, pas takimit deklaroi para gazetarëve, se e ka bërë shumë të qartë që duhet të fillojnë bisedimet për zbatimin e Asociacionit, derisa shtoi se pret një zgjidhje për krizën.

“Duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë të qartë këtë. Shpresoj që të kemi një zgjidhje shumë afër në këtë krizë.” - ka thënë ai.

Tutje, ai ripërsëriti, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin propozimin franko-gjerman, për një marrëveshje mes dy vendeve.

“Shpresoj qe presionet mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojnë shumë shpejt, e mbështesim planin franko-gjerman.” – shtoi Escobar.

Ndërkaq, emisari evropian, Mirsolav Lajçak, tha se nuk mund të tregojë detaje rreth takimit, por konfirmoi se pak më vonë, do të takohet me shefat e misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it.

“Pata një takim të veçantë me kryeministrin Kurti, nuk mund të tregoj detaje, sepse kjo është në mes të misionit tim, do të shkojë edhe në Beograd. Sot më vonë do të takohem me misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it. Duhet të gjejmë zgjidhje, nuk është mirë. Nuk mund të presim gjëra të këqija të ndodhin, tensionet nuk e ndihmojnë askënd.” – tha ai.

Lajçak nga gazetarët është pyetur për paralajmërimet e Serbisë se do t’i kërkojë KFOR-it që ta lejojë vendosjen e 1 mijë trupave serbe në veri, deklaratë të cilën s’e komentoi shumë.

“Shumë gjëra po thuhen këto ditë, atmosfera është shumë e nxehtë, dhe për këtë, duhet të fokusohemi te ajo që është më e rëndësishme, që njerëzit t’i rikthehen jetës ormale dhe agjendës pozitive.” – tha ai.

Escobar foli edhe më herët për Asociacionin

Escobar në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë, foli rreth Asociacionit. Ai ishte i qartë se punimet për zbatimin e kësaj marrëveshje, duhet të fillojnë menjëherë.

“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – tha ai për REL-in.

Duke folur për këtë çështje, Escobar shtoi: “Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.”

Diplomati amerikan ka shtuar se “të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur”.

Pyetur për deklaratat e liderëve të Kosovës se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Srpska, ai tha: “Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”.

BE s'e komentoi shumë, ShBA kategorikisht kundër kërkesës së Serbisë

Tensionet në veri të vendit veçse janë rritur gjatë dy javëve të fundit, ku janë regjistruar shpërthime të shok-bombave, sulme ndaj Policisë së Kosovës, ku një zyrtar mbeti i plagosur, sulm ndaj veturës së EULEX-it, dhe së fundi, vendosje e barrikadave në disa pika.

Pas krejt kësaj, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka konfirmuar se të enjten do t’i bëjë kërkesë misionit të KFOR-it, për të lejuar vendosjen e 1000 trupave serbe në veri të vendit.

Në përgjigjen e tij rreth kësaj kërkese, Escobar nuk kishte se si të ishte më i prerë, duke thënë se “nuk e mbështesin fare” dhe se "ShBA garanton sigurinë e Kosovës".

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai për REL-in.

Pyetur se si do veprohet nëse ndodhë një gjë e tillë, ai është përgjigjur prerë: “E para, këtë nuk e pres”.

“E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR.” – tha tutje Escobar.

Lajme të ngjashme