Escobar: Të punohet menjëherë për Asociacionin, Kosova ka garancë të sigurisë prej ShBA-së
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në mes të tensioneve në veri të Kosovës, ka dhënë një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ku ka folur për shumë çështje, duke përfshirë edhe Asociacionin, si dhe kërkesën e Serbisë për vendosjen e trupave ushtarake të tyre në pjesën veriore.
Fillimisht, sa i përket Asociacionit, Escobar ishte i qartë se punimet për zbatimin e kësaj marrëveshje, duhet të fillojnë menjëherë.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – tha ai për REL-in.

Duke folur për këtë çështje, Escobar shtoi: “Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.”
Diplomati amerikan ka shtuar se “të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur”.
Pyetur për deklaratat e liderëve të Kosovës se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Srpska, ai tha: “Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”.
ShBA garanton sigurinë e Kosovës
Tensionet në veri të vendit veçse janë rritur gjatë dy javëve të fundit, ku janë regjistruar shpërthime të shok-bombave, sulme ndaj Policisë së Kosovës, ku një zyrtar mbeti i plagosur, sulm ndaj veturës së EULEX-it, dhe së fundi, vendosje e barrikadave në disa pika.
Pas krejt kësaj, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka konfirmuar se të enjten do t’i bëjë kërkesë misionit të KFOR-it, për të lejuar vendosjen e 1000 trupave serbe në veri të vendit.
Në përgjigjen e tij rreth kësaj kërkese, Escobar nuk kishte se si të ishte më i prerë, duke thënë se “nuk e mbështesin fare” dhe se "ShBA garanton sigurinë e Kosovës".
“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai.
Pyetur se si do veprohet nëse ndodhë një gjë e tillë, ai është përgjigjur prerë: “E para, këtë nuk e pres”.
“E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR.” – tha tutje ai.
Sot te Kurti, nesër të Vuçiqi
Escobar, bashkë me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, aktualisht ndodhen në një takim me kryeministrin Albin Kurti. Nuk dihet se çfarë po diskutohet, e as nëse do të deklarohen pas përfundimit, derisa mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës.

Escobar i ka folur REL-it pak për këtë vizitë, duke thënë se “do të shohin largimin e barrikadave dhe një rrugë përpara për riintegrim".
“…shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim.” – tha ai.

Escobar, edhe dje ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e para tij, presidenten e vendit Vjosa Osmanit.
Ndërkaq, dy diplomatët e lartë pritet që nesër (e mërkurë) të qëndrojnë në Beograd, ku do të takojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
