Plagosja e qytetarit serb: Policia e Kosovës e pranon se një polic mund të jetë përfshirë, suspendon edhe tre tjerë
Policia e Kosovës sapo ka lëshuar një komunikatë shqetësuese ku i jep të drejtë Listës Serbe për pretendimet mbi plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës.
Gjatë mbrëmjes së kaluar, Policia e Kosovës kishte deklaruar se “Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar,”
Në anën tjetër, Lista Serbe kishte pasur pretendim krejtësisht tjetër. Ata kishin denoncuar pikërisht policinë tonë për një gjë të tillë duke thënë se ekzistonin edhe “video të bëra nga kamerat”.
Por, fatkeqësisht Policia e Kosovës duket se u ‘dorëzua’ para Listës Serbe përmes një komunikate të dërguar sot për medie.
Ata e pranojnë se një zyrtar policor mund të jetë i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri ku u plagos qytetari me përkatësi etnike serbe.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.” – shkruan Policia e Kosovës.
Siç njofton tutje Policia, zyrtari në fjalë nuk kishte raportuar fare për gjuajtjet që kishte pasur dhe për një gjë të tillë ishte suspenduar.
Përveç tij, Policia ka njoftuar se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve tjerë të Policisë për përfshirjen e mundshme në rast.
Viktima, Millan Jovanoviq, kishte thënë këto fjalë pas plagosjes:
“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”.
Për fat të keq, një gjë e tillë pritet që të rris edhe më shumë propagandën serbe kundër institucioneve të Kosovës.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti.
Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.
Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.
Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi.
Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale.