Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president
Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës, duke përmendur mungesën e mbështetjes parlamentare dhe devijimin e procesit në përplasje politike.
Vendimin e ka bërë publik në Facebook, dy javë pasi Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku arritën marrëveshje për ta propozuar si kandidat të përbashkët.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Marrëveshjen për kandidaturën e tij e kishin kundërshtuar gjashtë deputetë të LDK-së: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Ai njoftoi se përfaqësuesit e LDK-së dhe të Vetëvendosjes ishin informuar për vendimin përpara publikimit të tij.
“Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.”
Duke treguar si kishte nisur përfshirja e tij, Sejdiu shkroi se ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së dy javë më parë.
Ata, siç pretendon ai, e kishin ftuar në një takim me delegacionet e kryesuara nga liderët e të dyja partive, ku ishte njoftuar për pajtueshmërinë rreth emrit të tij.
“Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.”
Sejdiu e përshkroi propozimin si besim ndaj tij dhe vlerësim për kontributin institucional, duke falënderuar përfaqësuesit e të dyja partive për mbështetjen.
Pranimin e kandidaturës e lidhi me krizën që po kalon vendi dhe rrezikun e thellimit të saj.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës.”
Sipas tij, angazhimi për postin presidencial nuk buronte nga ambicia për një pozitë publike, por nga synimi për të ndihmuar në zhbllokimin institucional.
Në përfundim, Sejdiu u drejtohet partive politike me kërkesën për të gjetur rrugëdalje nga kriza dhe për të shmangur thellimin e polarizimit.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë.”
"Kurthi presidencial"
Pozita e presidentit të Kosovës është shndërruar në një “kurth” politik për kandidatët e propozuar gjatë krizës së gjatë institucionale.
Brenda pak muajsh, pesë kandidatura janë tërhequr. Emri i fundit është ai i Bekim Sejdiut, kandidati jopartiak për të cilin ishin pajtuar Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.
Përpara tij, nga gara ishin tërhequr Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kandidatët fillestarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Emrat e tyre ishin paraqitur për seancën e 5 marsit, por nuk ishin hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Më 27 prill, Konjufca dhe Mulhaxha-Kollçaku i tërhoqën kandidaturat, duke i hapur rrugë një formule tjetër presidenciale.
Vetëvendosje më pas propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Në raundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë. Procesi dështoi përfundimisht për mungesë kuorumi.
Rushiti më vonë konfirmoi se nuk ishte më në diskutime për presidente dhe se do ta vazhdonte angazhimin në organizatën e saj.
Pra, Hoxha nuk u tërhoq formalisht por kandidatura e saj dështoi në votim. Rushiti, ndërkaq, u largua nga diskutimet pas dështimit të procesit.
Gjatë kësaj kohe, u përmendën edhe emra si: Murat Jashari, Andin Hoti etj.
Presidenca, ndërkaq, mbetet nyja kryesore e krizës politike, pasi zgjedhja kërkon praninë e së paku 80 deputetëve në raundin e parë.