Kurti do që të flas vetëm për Serbinë: Pse kjo është akuza më e rëndë dhe më dëmtuese që iu bë dje?
Shumë e shumë fjalë të emisarit special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u raportuan dje në mediet kosovare. Megjithatë, asnjë pjesë e intervistës s'ishte më rënduese se sa ajo kur ai flet për preokupimin e Kurtit me Serbinë. Qe pse!
“Nëse ia ngulni shikimin humnerës gjatë, humnera po ashtu ua ngul shikimin juve.” – ka thënë filozofi i madh gjerman Friedrich Nietzsche. Dhe, duke e mbajtur shikimin gjatë te humnera që na e paraqet Serbia, duket që po ajo humnerë nisi të na ngulte shikimin neve.
Kështu të paktën beson edhe ShBA-ja, partneri më i madh i Kosovës. Kërkesa e tyre është fare e thjeshtë: Të mos definohemi nga Serbia.
Pra, të mos e lëmë politikën e jetën tonë të definohet nga ajo që e bën apo s’e bën Serbia. Të mos ngulfatemi brenda ciklit që thotë: Serbia është destruktive, Serbia po promovon politika fashiste, Serbia po destabilizon rajonin. Dhe... të bëhemi njësoj.
“Kosova nuk duhet ta definojë veten nga Serbia, por të definojë veten sipas vlerave të saj. Nga marrëdhënia e saj jo me 6 milionë banorë të Serbisë, por nga marrëdhënia e saj me 700 milionë njerëz të komunitetit euro-atlantik. Këtë gjë duam!” – tha z. Escobar.
Pra, kërkohet prej nesh të ndërtojmë shtetin tonë bazuar në marrëdhëniet që kemi me të gjitha vendet e Perëndimit dhe jo të çndërtojmë shtetin tonë me kukamën se Serbia s’ishte shtet demokratik.
Escobar adresoi edhe kritikat se Amerika po e kënaqte Serbinë. Këtu fjalët e tij ishin pazakonshëm më direkte se ato që mund të dëgjohen nga një diplomat.
“Nuk e kemi të njëjtën marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Nuk e shohim Serbinë... Serbia nuk është kandidate për NATO. Ata po kanë vështirësi në integrimin evropian. Ne presim që Kosova të jetë shumë më përpara. Dhe sasia e parave që kemi dhënë për institucionet tuaja – përfshirë edhe KFOR-in – nënkupton se kemi marrëdhënie të ndryshme.” – u shpreh ai.
“Çdogjë që kemi bërë i ka shkuar në të mirë Kosovës.”
Pra, kjo nënkupton se për Kosovën ka standarde tjera në raport me Serbinë. Sepse Kosova, për ShBA-në, është vend më i afërt se sa Serbia. E pse mos ta themi, vend edhe më i mirë.
“Po e kam shumë të vështirë ta kuptoj se pse disa njerëz mendojnë që ne po e kënaqim Serbinë...” – shfryu tutje Escobar.
Por, megjithatë të paktën dy njerëz – Albin Kurti e Besnik Bislimi – nuk po e kuptojnë që nuk po e kuptojnë një gjë të tillë sipas Escobarit. Ata po e përcaktonin shtetin tonë, të ardhmen tonë, pikërisht nga Serbia.
“E megjithatë, sa herë që flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, krejt për çka duan të flasin është Serbia. Ne duam të flasim për integrim më të madh.” – tha z. Escobar në fjalën e tij.
E nëse e mbani mend, Kurti madje ka qenë i preokupuar edhe me demokratizimin e Serbisë.
Megjithatë, fjalët më rënduese të tij nuk ishin ato që u raportuan keqlexueshëm në medie dje. Ishin këto për raportin e Qeverisë së Kosovës me komunitetin serb, dhe që pritet ta dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës.
“Pjesë e vështirësive është raporti që kjo Qeveri ka me komunitetin serb në Kosovë,” – the Escobar.
“Dua të theksoj një letër nga njëqind e ca aktivistë të shoqërisë civile – njerëz që jetojnë këtu, që duan të integrohen - që flet se si po i bën kjo qeveri të ndihen. I bën të ndihen si “qytetarë të klasës së dytë”” – vazhdoi ai.
“Ka shumë zëra të ndryshëm në atë komunitet që duhet të dëgjohen. Duhet të dëgjohen.” – përmbylli fjalën për këtë çështje.

