A ia dha Kurti vetes detyrë që ta ‘demokratizojë’ Serbinë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se e ka një ‘obsesion’ që po e shtyn drejt fjalëve të pamatura në vlerësimin e disa politikanëve serbë: demokracia në Serbi. Në dhjetëra fjalime, ai ka pasur qëndrime të çuditshme për një lider të një shteti tjetër.
Albin Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran qysh më 17 shkurt 2008. Ajo pavarësi, ishte pavarësi nga Serbia.
Megjithatë, Kurti duket se është shumë i dhënë pas historisë politike të Serbisë dhe procesit të demokratizimit të saj.
Gjingjiqi
Gjatë ditës së djeshme, ai e bëri një shkrim me fjalë të zgjedhura për kryeministrin e vrarë serb Zoran Gjingjiq. Ky i fundit ishte vrarë 20 vjet më parë, më 12 mars 2003, në Beograd nga disa individë të lidhur me krimin e organizuar.
“Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci,” – tha kryeministri i Kosovës dje, duke ia atribuuar këtë periudhë të vetme të demokracisë ish-kryeministrit Gjingjiq.
Kurti e kishte përmendur Gjingjiqin edhe në shumë e shumë raste tjera gjatë viteve të kaluara, duke i dhënë shpjegime historike e politike vrasjes kriminale të tij.
Megjithatë, kryeministri nuk foli askund për anën e errët të biografisë së z. Gjingjiq, sidomos në raport me Kosovën.
Ivanoviqi
Një rast edhe më i rëndë ishte ai për Oliver Ivanoviqin. Pasi e kishte vlerësuar si kriminel lufte para disa vitesh, Kurti do të ndërronte krejtësisht qëndrim për politikanin serb nga Kosova që ishte vrarë para disa vitesh në Mitrovicë të Veriut.
“Oliver Ivanoviqi i ka kriju “Rojet e Urës” (e pakuptueshme) 11364 shqiptarë i kanë dëbu prej veriut të Mitrovicës vetëm gjatë muajit shkurt të vitit 2000. Sepse mes natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 i kanë vra 11 shqiptarë në veri të Kosovës qita “Roje të Urës”, qiky Oliver Ivanoviq,” – kishte thënë Kurti.
Por, tash kryeministri i zgjodhi fjalët duke u shprehur si vijon:
“Oliver Ivanoviqi ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord,”
Kurti në Spanjë
Për demokracinë serbe, Kurti kishte folur edhe në Spanjë. Duke folur për afrimin drejt paqes së vërtetë, Kurti beson se një gjë mund të arrihet në rajonin ton vetëm në një mënyrë:
“Unë besoj se forcimi i demokracisë në Serbi është përgjigja. Kjo mund të duket si diçka me pak gjasa për disa, dhe si një e vërtetë e thjeshtë për të tjerët – megjithatë, kjo është mënyra e vetme që ne dimë për të krijuar kushte për paqen afatgjatë.” – ishte shprehur ai.
Kurti në Maqedoni
Për një revistë religjioze-nacionaliste të quajtur Shenja, ai kishte folur në mënyrë paksa më optimiste në lidhje me demokracinë në Serbi.
“Unë mendoj se megjithatë edhe në Serbi në fund do të fitojë kahja demokratike dhe Serbia do ta njohë Kosovën e do të kemi fqinjësi të mirë,” – kishte thënë ai.
Kurti në Prishtinë
Kryeministri i vendit ishte shprehur megjithatë më pak optimist më herët. Ai kishte thënë që Serbia po shkonte drejt autokracisë.
“...pushtimi rus ka zbuluar diçka së cilës i jemi frikësuar shumë, por nuk e kemi ditur me siguri: ballafaquar me zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë, Beogradi çdo ditë po përçon sinjale të qarta që do ta zgjedhë këtë të fundit,” – ishte shprehur ai.
Kurti në Francë
Kurti kisthe shprehur shqetësim për demokracinë në Serbi edhe në një intervistë për Le Monde.
Duke folur për dialogun, kryeministri kishte thënë se kjo ende kërkon që ta rikthejë Kosovën “pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj.”
“Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike,” - ishte shprehur ai.
Kurti në Amerikë
Kryeministri e kishte cilësuar Kosovën si “fanar të demokracisë në Ballkan” gjatë një vizite në ShBA. Por, krejt fjalë tjera kishte pasur për Serbinë.
“Fqinji verior s’është aspak demokraci. Është shtet njëpartiak me Vuçiqin në maje. Mungesa e demokracisë shpjegon mbështetjen e tij për Putinin,” – kishte argumentuar ai.

