Qëndrimet tmerruese për Bosnjen, 'kufizimi i natalitetit' te shqiptarët: Ana e errët e Gjingjiqit që u përkujtua nga Kurti - NACIONALE

Qëndrimet tmerruese për Bosnjen, 'kufizimi i natalitetit' te shqiptarët: Ana e errët e Gjingjiqit që u përkujtua nga Kurti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar me fjalë të zgjedhura kryeministrin e vrarë serb Zoran Gjingjiq. Sot ishte 20-vjetori i vrasjes së tij. Megjithatë, ai nuk përmendi disa gjëra të errëta, shumë të errëta.

Kurti e kishte përkujtuar me fjalë të zgjedhura edhe Oliver Ivanoviqin para gati dy muajve. Kjo kishte shkaktuar bujë të madhe, veçanërisht pasi Ivanoviqi ishte cilësuar edhe prej vetë Kurtit opozitar si një kriminel lufte.

Megjithatë, bujë të madhe po shkakton edhe përkujtimi që i bëri para disa orësh kryeministrit serb të vrarë në moshën 50-vjeçare afër ndërtesës së Qeverisë në Beograd, sot e 20 vjet më parë.

Kurti megjithatë në përkujtimin e tij duket se e di që biografia e Gjingjiqit nuk ishte aq e bardhë sa e bënte kur i tha këto fjalë:

“Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe...” – shkruan Kurti, në dukje duke e relativizuar demokratin brenda kryeministrit serb. Por, në pjesën tjetër ai ka vetëm fjalë të mira për të.

Ai pretendon se për nga formimi intelektual e filozofik, Gjingjiqi ka lëvizur e ndryshuar por se një gjë të tillë e ka bërë “i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit.”

“Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jurgen Habermasit, filmi më i dashur i tij ishte ‘Andrei Rublev’ i Andrei Tarkovskyt.” – shkruan mes tjerash Kurti.

Pse Gjingjiqi është problematik?

Nëse lëmë anash takimin e tij me kriminelin Zeljko Razhnatoviq i njohur si Arkan, me të cilin duket i buzëqeshur derisa tok duart, marrim vesh se edhe ai angazhohej për një Serbi të Madhe.

Gazetari boshnjak Almir Mehoniq në një shkrim ku problematizon romanticizimin e biografisë së Gjingjiqit e pohon një gjë të tillë.

“...rruga e tij (Gjingjqit) politike është e lidhur me qarqet akademike nacionaliste serbe dhe me idenë e një “Serbie të Madhe”” – thotë ai, derisa përmend edhe shumë fakte të cilat me shumë gjasë edhe kryeministri i vendit tonë i di.

“Mendojmë se e vetmja zgjidhje për çështjet tona kombëtare dhe shtetërore, pas rënies së Ish-Jugosllavisë, është krijimi i një aleance të shteteve serbe, ku do të përfshiheshin Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska,” – raportohet të ketë thënë Gjingjiq më 1996.

Gazetari gjerman Gerald Praschl, e kishte konsideruar qëndrimin e Gjingjiqit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës si më negativin.

“Kur lufta, e cila shpërtheu fillimisht mes Kroacisë dhe Serbisë u përhap në Bosnje në pranverën e vitit 1992, Gjingjiqi kërkoi një shtet të përbashkët për të gjithë serbët” e bashkë me të edhe ndarjen etnike të Bosnjes.”shkruan gazetari Praschl mes tjerash. Po ashtu, Gjingjiq akuzohet se në një moment edhe është solidarizuar me kriminelin e luftës, Radovan Karagjiq, madje edhe në kohën kur Sllobodan Millosheviq ishte distancuar prej tij.

Praschl më tej shkruan se Gjingjiqi kishte avokuar me partinë e tij për masa që do të kufizonin natalitetin e lartë te shqiptarët e Kosovës.

E këtë të menduar etnik ai e kishte pasur edhe kur kishte avokuar për ndarje të Kosovës në vija etnike.

Lajme të ngjashme