Kurti nga Shtimja për sanksionet e BE-së: Të padrejta, shpresojmë se do të jenë me kohë të shkurtër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, ka folur për herë të parë më konkretisht për ndëshkimet ndaj Kosovës.
Gjatë një përurimi në Shtime, Kurti ka thënë se nuk do të bëjnë kompromis me sundimin e ligjit.
“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe Ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist," - u shpreh fillimisht kryeministri.
"Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë Kurti derisa po e përuronte një park në një fshat të komunës së vogël që drejtohet nga një aktivist i VV-së.
Kurti më tutje deklaroi se tryeza e dialogut është vendi ku duhet të diskutohet për deeskalim. Ai tha se Kosova është më e gatshme se Serbia të diskutojë për njohje reciproke dhe qetësimin e gjendjes.
“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian,” është shprehur ai.
Kryeministri ka folur në lidhje me masat ndëshkuese edhe në të kaluarën, por duke mos qenë konkret në fjalët e tij.
Kurti më herët ka njoftuar opinionin në lidhje me propozimin e tij pesë-pikësh, por gjatë kësaj jave njoftoi se kishte propozuar në Bruksel edhe një propozim me katër pika që duhej t'i kryente Kosova dhe katër tjera që duhej t'i kryente Serbia.
Komisioni Evropian ka njoftuar për një varg masash ndëshkuese gjatë kësaj jave ndaj Kosovës.
