Ekskluzive: Çka përmban Marrëveshja Bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë? - NACIONALE

Ekskluzive: Çka përmban Marrëveshja Bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

A do të fitojë Kosova ulëse në OKB? A do ta njohë Serbia Kosovën? Çka përmban Asociacioni? Një burim i mirëinformuar i ka treguar gazetës Nacionale disa prej thekseve më interesante të kësaj marrëveshje, duke përfshirë edhe emërtimin e saj.

Nacionale

Tashmë nuk është sekret që palës serbe dhe palës shqiptare i është dorëzuar një dokument, me disa pika, lidhur me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila marrëveshje ka gjasa që do të mund të nënshkruhej në fund të këtij viti.

Gazeta Nacionale ka mësuar prej burimeve të saj
që emri i dokumentit që po qarkullon në qarqet vendimmarrëse quhet Marrëveshja Bazë, pra jo Marrëveshja Përfundimtare, siç do të mund të shpresohej, sepse megjithatë nuk duket të jetë përfundimtare.



Qytetarët e Kosovës, në masë të madhe, janë duke pritur që në fund të këtij procesi të ekzistojë procesi i njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është refreni që po e përseritë kryeministri Kurti “njohja në qendër”.

Burimi i gazetës Nacionale që e ka parë këtë dokument thotë që nuk bëhet fjalë për njohje reciproke, por bëhet fjalë për një marrëveshje që bazohet në raportet që i kanë shtetet që janë anëtare të OKB-së. Citohen disa standarde ndërkombëtare te raporteve në mes të shteteve, nisur nga OKB.



“Nuk thuhet në mënyrë eksplicite që ka njohje, nuk thuhet në mënyrë eksplicite as që ka ulëse të Kosovës në OKB”, ka thënë ky burim, i cili beson që një gjë e tillë vetëkuptohet, por që po i bëhet Serbisë më i lehtë pranimi i marrëveshjes.

Sipas draftit të kësaj Marrëveshje Bazë, ndërmjetësuesit nuk garantojnë, po premtojnë që pas nënshkrimit të saj Kosova do të mund të njihet prej pesë vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian.

“Është e pamundur të garantohet, sepse do të ishte ofendim për ato shtete. Sigurisht që ndërmjetësuesit kanë komunikuar me pesshën mosnjohëse, që kanë dhënë sinjale pozitive”, tha burimi.

Kjo që u tha më lartë ishte pjesa e mirë për Kosovën. Pra, hapet një perspektivë ndërkombëtare, Serbia e bën një hap për ta pranuar, nëse jo de jure, de facto, Kosovën si shtet.



Pjesa e hidhur për Kosovën është e lidhur me atë që tashmë të gjithë e dimë, Asociacionin e Komunave Serbe, ose siç e ka popullarizuar Vetëvendosja, Zajednicën.

“Është problematike fjala ‘vetëqeverisje’ në atë draft. Kjo fjalë implikon negativisht një lloj të pavarësisë së kësaj trupe. Ky asociacion nuk i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese, por në anën tjetër e ka njëfar lirie bukur të theksuar për të komunikuar me Serbinë, pa pasur nevojë që të subordinohet me qeverinë e Kosovës”, ka thënë një burim.

Një draft të Asociacionit, të shkruar nga gjermanët, e ka botuar Nacionale ditën e djeshme. Duket që ajo çfarë i ka thënë Nacionales ky burim, nuk dallon shumë nga pikat e përgjithshme të statutit të Asociacionit të botuar një ditë më herët.



Mbetet e komplikuar edhe çështja e statusit të Kishës serbe në Kosovë. Marrëveshja Bazë i jep një autonomi të theksuar.

Gazeta Nacionale ka mësuar që në Berlin, në samit, Kosova dhe Serbia pritet t’i nënshkruajnë disa marrëveshje, por jo Marrëveshjen Bazë, që pritet të bëhet pak më vonë.

Lajme të ngjashme