Grenell ia përmend Kurtit marrëveshjen e arritur në 2011: U pajtua me Thaçin, shpresoj t’i zbatojë edhe të tjerat - NACIONALE

Grenell ia përmend Kurtit marrëveshjen e arritur në 2011: U pajtua me Thaçin, shpresoj t’i zbatojë edhe të tjerat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia sot kanë arritur marrëveshje për çështjen e letërnjoftimeve, konfirmoi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Një marrëveshje e tillë, ishte arritur në vitin 2011 dhe ish-emisari amerikan për bisedimet mes dy vendeve, Richard Grenell, po konsideron se kryeministri Kurti, u pajtua me atë që edhe Hashim Thaç ishte dakorduar vite me parë.

Kryediplomati evropian, Josep Borell sot bëri të ditur se është arritur marrëveshja për dokumente, mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’u mundësojë qytetarëve që të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Pas konfirmimit për arritjen e marrëveshjes, një ndër personat e parë që reagoi ishte ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ky i fundit, tha se Kurti u pajtua me atë që Hashim Thaçi ishte dakorduar vite më parë, gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Kështu Albin Kurti ka rënë dakord për çfarë Hashim Thaçi kishte rënë dakord vite më parë. Letërnjoftimet nga të dyja palët edhe njëherë pranohen – por këtë herë Kurti thotë po. Ai po arrin – le të shpresojmë se do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme” - ka shkruar Grenell në Twitter.

Marrëveshja si ajo e vitit 2011

Produkti i parë i dialogut teknik Kosovë-Serbi ishte Marrëveshja për lëvizjen të lirë, në të cilën palët u pajtuar për njohje të letërnjoftimeve.

Kjo marrëveshje bazohej në njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të udhëtimit ndërmjet dy shteteve si dhe njohjen e targave të automjeteve mes tyre.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë është arritur më 2 korrik të vitit 2011 në raundin e pestë të diskutimeve në mes ish-ministres për Dialog të Kosovës, Edita Tahiri, dhe ish-zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Borco Stefanoviq.

Kjo marrëveshje rregullon termet e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve të të dyja palëve brenda dhe përmes territorit të njëra-tjetrës.

Zbatimi i marrëveshjes filloi më 26 dhjetor 2011. Ndërsa, procesi i zbatimit u bazua në konkluzionet përfundimtare operative të dakorduara midis dy vendeve, nën lehtësimin e BE-së, më 29 nëntor 2011.

Marrëveshja përcaktonte regjimin e kalimit me anë të letërnjoftimeve mes dy shteteve, ndërsa kalimin në vende të treta me anë të pasaportave.

Përmes marrëveshjes së vitit 2011, edhe Kosova kishte mundësi që t’i lëshonte dokumentet hyrëse/dalëse personave që vinin nga territori serb, por kjo nuk ishte bërë me vendim të Qeverisë për shkak të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Nisin reagimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende ka reaguar drejtpërdrejtë për marrëveshjen që u arrit sot me Serbinë, në lidhje me letërnjoftimet. Ai pak pas publikimit të lajmit, ka shpërndarë një intervistë në “Twitter”, dhënë gazetës gjermane “Welt” para një jave, ku mes tjerash, ka folur edhe për marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve.

“Marrëveshja e dialogut mes dy vendeve duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe e bazuar në njohjen reciproke. Një marrëveshje e tillë, kërkon shtrëngim duarsh”, ka thënë Kurti, kur është pyetur se do t’ia zgjatë dorën Vuçiqit dhe se a do ta njohë Serbinë.

Pas arritjes së marrëveshjes, ka reaguar presidentja Osmani,e cila ka thënë se tani do të vazhdojë angazhimi për njohje reciproke mes dy vendeve.

“Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rolin e tyre mbështetës”, ka thënë mes tjerash ajo.

Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë, reagoi duke thënë se reciprociteti, është parimi që e bën Kosovën një vend “normal”.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një shkrimi në Twitter, uroi që ky zhvillim, ta çojë dialogun në një nivel tjetër.

“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”, tha kryeministri shqiptar.

Njëjtë si Grenell, edhe sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë se marrëveshja që u arrit sot, është si ajo e kohës së Thaçit. Ky i fundit, madje tha se kryeministri për një dekadë, ka mashtruar qytetarët e Kosovës.

Lajme të ngjashme