Mungesa e ftesës për Kosovën në Samitin e NATO-s, “opozita” fajëson Qeverinë: Janë ftuar 10 shtete që s’janë anëtare - NACIONALE

Mungesa e ftesës për Kosovën në Samitin e NATO-s, “opozita” fajëson Qeverinë: Janë ftuar 10 shtete që s’janë anëtare

1 orë më parë

nga NACIONALE

Opozita e ka fajësuar Qeverinë për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Ankara.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se në këtë samit janë ftuar edhe shtete që nuk janë pesë e NATO-së, por jo edhe Kosova.

Sipas tyre, mungesës së stabilitetit institutucional ka bërë që Kosova të mos marrë ftesë nga NATO.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se prania e Kosovës në këtë samit do të fliste shumë.

Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ftesa më e rëndësishme për Kosovën do të ishte pjesëmarrja në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara. Deri më sot, Kosova nuk u ftua. Në këtë samit janë ftuar dhjetë shtete që nuk janë anëtare të NATO-s. Ato nuk kanë as partneritet formal me Aleancën, nuk janë pjesë e programit Partneriteti për Paqe dhe as nuk ndodhen në ndonjë proces anëtarësimi. Kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, ka mënyra të ndryshme për të përfshirë partnerë të rëndësishëm, qoftë me ftesë të vendit nikoqir, të vetë Aleancës, të një shteti anëtar, apo edhe në aktivitetet dhe takimet përcjellëse të samitit”, ka shkruara ai.

Sipas tij, diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet.

Kosova është një partner i dëshmuar i NATO-s, me kontribut në sigurinë rajonale dhe me orientim të qartë euroatlantik. Pikërisht për këtë arsye, prania e Kosovës në samite të tilla duhet të jetë synim i vazhdueshëm i politikës së jashtme. Diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet. Kur mungon në ato tavolina, mungon edhe mundësia për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit”, ka shkruar Hoxhaj.

Të njëjtën kritikë për Qeverinë e ka pasur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Kosova u penalizua me këtë veprim.

Kosova 🇽🇰 u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional. Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike. Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, ka shkruara ai.

Ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e ka dhënë një sqarim në lidhje me mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit.

Ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Ëomen, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, është thënë në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme