Kurti shpërndan një intervistë pas pajtimit për dokumente: Ia zgjas dorën Vuçiqit, nëse arrijmë marrëveshjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk e ka bërë një reagim të drejtpërdrejtë për marrëveshjen që u arrit sot me Serbinë, në lidhje me letërnjoftimet. Ai ka shpërndarë një intervistë në “Twitter”, dhënë gazetës gjermane “Welt”, ku mes tjerash, ka folur edhe për marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve.
Kryeministri Kurti ka thënë se ia zgjat dorën presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në rast të arritjes së marrëveshjes që përfundon me njohje reciproke.
“Marrëveshja e dialogut mes dy vendeve duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe e bazuar në njohjen reciproke. Një marrëveshje e tillë, kërkon shtrëngim duarsh”, ka thënë Kurti, kur është pyetur se do t’ia zgjatë dorën Vuçiqit dhe se a do ta njohë Serbinë.
Kurti e ka shpërndarë këtë intervistë edhe në Twitter, ku ka theksuar se e njëjta është dhënë para një jave.
Marrëveshja që u arrit sot
Kurti dhe Vuçiq u takuan të enjten e javës së kaluar në Bruksel, ku biseduan për rreth pesë orë, por nuk ia dolën që të arrijnë një marrëveshje në lidhje me reciprocitetin për letërnjoftimet dhe targat.
Këto të fundit, sot nuk u përmenden nga asnjëra palë, madje as kur shefi i diplomacisë evropian, Josep Borell konfirmoi arritjen e marrëveshjes.
“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkruar ai.
We have a deal.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 27, 2022
Under the EU-facilitated Dialogue, Serbia agreed to abolish entry/exit documents for Kosovo ID holders and Kosovo agreed to not introduce them for Serbian ID holders.
(1/2)
Sipas tij, BE-ja ka marrë garancinë nga kryeministri Kurti për këtë çështje.
“Serbët e Kosovës dhe gjithë qytetarët e tjerë do të mund të udhëtojnë lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo morri garanci nga Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka falenderuar SHBA-në, duke thënë se u përfshi fuqishëm.
“Falënderoj DASH, Gabriel Escobar dhe diplomacinë e SHBA-së për përfshirjen e tyre të fuqishme në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi Lajçak.
I thank DAS Escobar and the 🇺🇸 diplomacy for their strong engagement in support of the 🇪🇺-facilitated Dialogue. https://t.co/6UqwpMh1Zn
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 27, 2022
Fillojnë reagimet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes, duke thënë se liria e lëvizjes, është themeli i shoqërive demokratike dhe i vlerave evropiane.
“Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”, ka thënë Osmani.
Ajo mes tjerash, ka falenderuar SHBA-në dhe BE-në për kontributin në këtë proces, ndërsa theksoi se do të vazhdojë angazhimi për njohje reciproke.
“Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës
dhe Bashkimit Evropian
për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke”, ka thënë ajo.
Deri më tani, nga Qeveria Kurti ka reaguar vetëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se reciprociteti e bën Kosovën një vend “normal”.
“Reciprociteti është parimi që na bënë të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes” ka shkruar ajo.

