Arritja e marrëveshjes, Albulena Haxhiu thotë se Kosova tani është vend "normal" - NACIONALE

Arritja e marrëveshjes, Albulena Haxhiu thotë se Kosova tani është vend "normal"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se reciprociteti, është parimi që e bën Kosovën të jetë vend normal.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e letërnjoftimeve, pasi kjo e fundit, ra dakord t’i shfuqizojë dokumentet e hyrje-daljes.

Me këtë rast, Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, tha disa fjalë për reciprocitetin.

“Reciprociteti është parimi që na bënë të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes” ka shkruar ajo.

Ndërkaq, pasditen e së shtunës shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell dha detaje lidhur me marrëveshjen e arritur.

“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkruar ai.

Sipas tij, BE-ja ka marrë garancinë nga kryeministri Kurti.

“Serbët e Kosovës dhe gjithë qytetarët e tjerë do të mund të udhëtojnë lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo morri garanci nga Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka thënë ai.

Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka falenderuar SHBA-në, duke thënë se u përfshi fuqishëm.

“Falënderoj DASH, Gabriel Escobar dhe diplomacinë e SHBA-së për përfshirjen e tyre të fuqishme në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi Lajçak.

Lajme të ngjashme