Rilind Gërvalla e Blerim Haxhiaj i kërkuan storje me AI, në përkrahje të Kurtit: Arlinda Sejda largohet nga dhoma e lajmeve në RTK
Degradimi i Radio Televizionit të Kosovës, që për drejtor të televizionit ka ish-anëtarin e Vetëvendosjes, militantin e kësaj partie, Rilind Gërvalla, e për kryeredaktor, Blerim Haxhiaj, përfitues i qindëra-mijëra eurove gjatë pushtetit të Kurtit, e që të dy së bashku prodhuan lajme të rreme në Lajmet Qendrore në RTK, duke e degraduar në nivele të pa para më herët televizionin publik, për interesa personale e partiake. Këtë të martë, gazetarja me përvojë 10 vjeçare në Radio Televizionin e Kosovës, Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga Televizioni Publik. Dorëheqja e saj vjen pas dorëheqjeve të mëparshme të rekdaktorëve, Blerta Foniqi-Kabashi e Jeton Musliu. Edhe këta dy kishin raportuar presion politik brenda institucionit. Madje të dy dëshmuan me dokumente e komunikime presionin. Muaj më parë nga RTK, u larguan edhe dy gazetaret, Hana Marteti e Edina Avdiu, që të dyja rapotuan se largimi i tyre ndodhi jo për shkak të përformancës, pasi aty kishin dalë mbi mesatarën e kërkuar, por sepse nuk u përshtatën me agjendën partiake e presionin enorm të drejtuesëve të televizionit për të prodhuar lajme të porositura.
Pse u largua Arlinda Sejda?
Ajo ka bërë me dije se deri të ky vendim ka ardhur me qëllim të mbrojtjes së parmeve të gazetarisë.
“Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit. Ai vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut. Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik. Këto parime më kanë udhëhequr në çdo vendim timin dhe mbeten arsyeja pse zgjodha këtë profesion, por edhe pse po e marr këtë vendim sot” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ndaj gazetarës është ushtruar presion i vazhdueshëm, duke kulmuar me insistimin e U.D. Drejtorit të RTK-së Rilind Gërvalla e U.D. Kryeredaktorit Blerim Haxhiaj, për të ndërtuar një storje me Intelegjencë Artificiale, kinse për të treguar se si Sami Lushtaku e kishte sulmuar Albin Kurtin në Skenderaj, anipse raportet policore e thonë të kundërtën.
Dëshmitare e situatës, redaktorja Jehona Zhitia?
Në një shkrim në Facebook të juristes së mediave, Flutura Kusari, e cila premtoi avokimin në instance vendore dhe ndërkombëtare për gazetaren, komentoi redaktorja e RTK-së, Jehona Zhitia. Ajo tha se ishte dëshmitare e rastit.
“Arlinden gjithmone e kam inkuraju mos me u be vegel me dergu perpara agjenda politike, ia kam forcu guximin me thane JO kur e sheh qe po preket integriteti profesional. Rasti i fundit ne te cilin u gjendem bashke ishte shembulli me i keq se si nuk duhet bere gazetaria, se si deziformohet publiku per interesa grupore e politike. Arlinda e la RTK-ne, por jane te tjere brenda qe nuk dorezohen para asnje presioni.” – shkroi ajo.
U kërkua storje me AI?
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pasi gazetarja Alrinda Sejda është detyruar të largohet sot nga RTK-ja.
Ajo ka shprehur disa dyshime që lidhen me largimin e gazetares në fjalë.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se ka informacione se asaj i është kërkuar të prodhojë storje me Inteligjencë Artificiale.
“Edhe një gazetare u largua nga RTK-ja. Jo sepse nuk deshi të punojë, por sepse nuk pranoi ta humbë dinjitetin profesional. Arlinda Sejda, gazetare me përvojë, u largua duke denoncuar presione që nuk kanë vend në një transmetues publik. Nëse është e vërtetë se nga ajo është kërkuar të prodhojë storje me Inteligjencë Artificiale për qëllime politike, atëherë kjo nuk është më gazetari. Është fabrikim. Është propagandë. Është kapje. Sot gazetarët po mbeten vetëm. Por e vërteta nuk mbetet vetëm përgjithmonë. Sa më shumë që pushteti mundohet ta kontrollojë RTK-në, aq më shumë e zbulon frikën e vet. RTK-ja duhet t’i kthehet publikut”, ka shkruar Deliu-Kodra
Sindikata e RTK-së: U dëshmua presioni
Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e gazetares Arlinda Sejda, duke e cilësuar largimin e saj si një sinjal serioz për gjendjen e krijuar në transmetuesin publik.
Në reagimin e saj, Federata thekson se vendimi i Sejdës për t'u larguar pas 10 vitesh pune, për shkak të pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me standardet profesionale dhe etikën, nuk është vetëm një çështje personale, por dëshmi e problemeve institucionale në RTK.
Sipas Federatës, ndërhyrjet në proceset editoriale, presionet ndaj gazetarëve dhe redaktorëve, si dhe cenimi i pavarësisë editoriale kanë krijuar një klimë pune që dëmton profesionalizmin dhe besueshmërinë e transmetuesit publik.
Federata Sindikale i bëri thirrje Bordit dhe menaxhmentit të RTK-së që të ndërmarrin masa konkrete për garantimin e pavarësisë editoriale, respektimin e kompetencave profesionale dhe krijimin e një ambienti pune ku gazetarët të mos detyrohen të zgjedhin mes vendit të punës dhe integritetit profesional.
Po ashtu, ajo theksoi se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe standardet profesionale në RTK, duke nënvizuar se largimi i gazetarëve me integritet është një problem institucional që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
AGK thirrje Qeverisë dhe LVV-së ta ndalin presionin
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës, duke e cilësuar largimin e saj si dëshmi të presionit politik dhe kapjes së transmetuesit publik.
Sipas AGK-së, Sejda, e cila ka punuar për një dekadë në RTK, u largua për shkak të pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me standardet profesionale dhe etike.
AGK vlerëson se largimi i saj dhe i gazetarëve të tjerë është pasojë e politikave menaxhuese që, sipas tyre, ndëshkojnë zërat kritikë dhe e kanë shndërruar RTK-në në një mjet propagandues të pushtetit.
Asociacioni i bëri thirrje Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje të ndalin presionin politik ndaj RTK-së, ndërsa Bordit të transmetuesit publik i kërkoi të mbrojë pavarësinë editoriale dhe gazetarët.