Kosova ka dështuar në politikë të jashtme
Shkruan: Muhamet Hamiti
Prej kur këtë vend e drejton Albin Kurti me Qeverinë e Vetëvendosjes (VV), Kosova ka dështuar në politikë të jashtme. (Ka dështuar keq edhe në politikat e brendshme – në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në ekonomi - por kjo s’është temë e këtij shkrimi).
Orientim strategjik i Kosovës prej fillimeve, kur këtë vend e ka drejtuar Presidenti Ibrahim Rugova, ka qenë liria, pavarësia dhe demokracia dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës. Në këtë rrugëtim vendin tonë e kanë mbajtur edhe drejtuesit e tjerë politikë pas Rugovës, përveç Albin Kurtit, liderit të VV-së.
Ja dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës në politikën e jashtme në këto 5 vitet e sundimit të Kurtit:
Në shkurt-mars 2023, si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti e bëri marrëveshjen më të keqe në historinë e stërzgjatur të dialogut me Serbinë. Pranoi vetëmenaxhim për serbët, domethanë më shumë sesa Asociacion për komunat me shumicë serbe - ekspertët kushtetues thonë vetëmenaxhimi përbën autonomi politiko-territoriale për serbët - në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Albin Kurti ende kërkon ta nënshkruajë këtë marrëveshje të keqe, e cila, megjithatë, është pranuar si e tillë, siç ua përkujtoi këto ditë të gjithëve, edhe Qeverisë sonë në detyrë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Peter Sorensen.
Prej qershorit të vitit 2023 deri në fillim të vitit 2026, për shkak të politikave të papëregjegjshme të Qeverisë Kurti, Kosova ishte nën sanksione të ashpra financiare të BE-së. Na u pezulluan asaj kohe rreth 700 milionë euro për projekte jetike për qytetarët e Kosovës.
Në vitin 2024, në drejtimin e klasës pushtetore të këtyre viteve, Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës, kur kjo punë dukej gati punë e kryer.
Në shtator të viti 2025, SHBA-të, aleati kryesor i Kosovës së pavarur dhe sovrane, pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të, siç thanë, "shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”. Në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë thuhej se "veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Dialogu strategjik do t'i forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike të Kosovës me SHBA-të.
Qeveria e Albin Kurtit, prej vitit 2021, ka kundërshtuar projektin për gazin e lëngshëm amerikan (LNG), që do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve dhe rritjen e sigurisë energjetike që në situatën gjeostrategjike përkthehen në siguri nacionale për Kosovën.
Thënë shkurt, Kosova është më larg integrimeve euro-atlantike se që ishte para ardhjes së Albin Kurtit me satelitët e vet në pushtet më 2021.