PDK dhe Aleanca sërish i bëjnë thirrje VV-së për konstituimin e Kuvendit: Asnjë parti nuk është mbi Kosovën
Deputetët e PDK-së dhe AAK-së sërish sot kanë shkuar në sallën plenare të Kuvendit, ku kanë përsëritur kërkesën e tyre për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive. Sërish në sallë nuk kanë qenë prezent deputetët e LDK-së.
Nga foltorja e Kuvendit kanë folur deputetët Besa Kabashi-Ramaj dhe Besnik Tahiri, të cilët i kanë prezantuar kërkesat e PDK-së dhe Aleancës.
Ata kanë bërë me dije se VV-ja në mënyrë të qëllimshme ka bllokuar formimin e institucioneve.
Deputetja e PDK-së ka bërë me dije se është alarmante papërgjegjësia e pushtetit.
“Edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe sot Kosova vazhdon pa institucione të konstituuara. Dhe kjo duhet të na me alarmojë të gjithëve. Ne jemi zgjedhur për të punuar, por si deputetë, në vend që të jemi në seancë duke u marrë me problemet e juve qytetarë, jemi duke kërkuar që shteti të funksionojë së pari. Asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asnjë lider nuk është mbi shtetin. Asnjë parti nuk është mbi Kosovën”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Ajo që po ndodh këtu është një krizë shtetërore e shkaktuar nga partia se cilës qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për t’i konstituuar institucionet, por që në realitet ka vendosur ta mbajë krejt shtetin tonë peng. E pasojat i ndjen pacienti që pret trajtim dhe mjeku që punon në kushte të vështira, i ndjen polici, ushtari, zjarrfikësi që mbrojnë vendin por vazhdojnë pa sigurim të mirëfilltë shëndetësor dhe jetësor. I ndjen mësuesi, studenti që pyet a ka të ardhme këtu më, fermeri që pret mbështetjen e shtetit për të cilën ka shumë nevojë, biznesi që kërkon stabilitet për t’u zhvilluar. Ju, qytetarë të Republikës së Kosovës, po e paguani çmimin e një shteti që nuk po lejohet me u funksionalizuar”, ka thënë ajo, duke përmendur rreziqet që po i kanosen Kosovës.
“E rreziku që po i kanoset Kosovës sonë dhe demokracisë që me atë shumë mund e sakrificë e kemi krijuar është shumë i madh. Demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate. Ajo fillon të dobesohet kur një lider nuk i pranon më kufijtë që ia vendos Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kur Kuvendi mbahet jofunksional dhe s’ka mbikëqyrje, kur pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë atë dobesohen”, ka thënë Kabashi Ramaj.
Më pas, në foltore ka dal deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.
Edhe ai ka kritikuar ashpër VV-në për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
“Marrja më e madhe që e ka kapluar partinë politike që i ka fituar zgjedhjet, e e cila po i thotë tash, qysh na thoshte neve struk diçka në zyrat e veta e po na dëgjon çka do të themi këtu e po mendon që ne do të lodhemi, do të mendojë që këto veprimet tona nuk do t’i bëjmë për shkak se mundemi me pa ndryshe apo kështu. Por ne s’kemi punë tjetër, nuk kemi detyrë tjetër veçse me ardhë në vendin tonë, karrigen tonë, sallën tonë që na ka besuar qytetari i Kosovës me votën e vet, që na ka dhënë sovrani edhe i cili i kërkon me plot të drejtë prej neve kudo që jemi, në rrugë e në institucione me na parë dhe me lënë institucionet”, ka thënë ai.
Sipas tij, duputetët duhet ta kryejnë punën e tyre në Kuvend.
“Qytetarë të Kosovës sot i kam dy porositë të vetme, Konstituimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës nuk lidhet me asgjë. E ka vetëm një kusht dhe ai kusht është neve që jemi zgjedhur deputetë, jemi certifikuar prej KQZ-së me na verifikuar mandatet. Kjo ka ndodhur. Asnjë kusht tjetër, as ligjor, as kushtetues, as politik nuk ekziston mos me ardhur me i themeluar këtë institucion të Kosovës”, është shprehur ai.