Escobar zbulon atmosferën brenda takimit Kurti-Vuçiq: U pajtuan të takohen çdo muaj, Asociacioni tema e radhës - NACIONALE

Escobar zbulon atmosferën brenda takimit Kurti-Vuçiq: U pajtuan të takohen çdo muaj, Asociacioni tema e radhës

1 vit më parë

nga NACIONALE

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar të mirë dhe profesional, takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, dy palët janë pajtuar që të takohen në baza mujore dhe çështja e Asociacionit, është tema e radhës që duhet të diskutohet.

Escobar ka dhënë një intervistë për mediumin “N1”, pas vizitës që pati në Serbi, ku ka folur në lidhje me dialogun mes dy vendeve.

Një prej zhvillimeve më të rëndësishme pas këtij takimi, Escobar thotë që ishte se Kurti e Vuçiq u pajtuan që të takohen në baza mujore.

“Më duhet të them se takimi mes Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, profesional dhe paqësor. Ishte inkurajuese të shohëh atë nivel të transparencës në prezencën e Përfaqësuesit të Lartë te BE-së Borrell dhe z. Lajçak. Kështu që, mendoj se në horizont kemi fillimin e përmirësimit të marrëdhënive dypalëshe”, ka deklaruar ai.

Escobar flet edhe për Asocacionin

Escobar ka paralajmëruar Asociacionin si agjendë për takimin e radhës mes dy vendeve.

Ai ka thënë se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe duhet të zbatohet, duke theksuar se kjo çështje është diskutuar edhe gjatë takimit që pati kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Escobar tha se nuk mund të vendosin afate për zbatimin e themelimit të Asociacionit, mirëpo shtoi se kjo duhet të jetë e radhës në agjendë.

“Ne nuk vendosim afate. Kërkesa e vetme, nëse mund ta quani kështu, është që ajo duhet të jetë e radhës në agjendë”, tha ai në një intervistë.

Sipas tij, Asociacioni është një obligim ekzistues që është nënshkruar në marrëveshje dhe duhet të zbatohet.

“Pra, ne do të duhet të flasim për atë komunitet dhe se si do ta zbatojmë atë. Ky është një obligim ekzistues, është nënshkruar në marrëveshje dhe tashmë ajo marrëveshje ka kaluar nëpër procese të ndryshme në qeverinë e Kosovës dhe është konfirmuar. Në takimin e Sekretarit të Shtetit, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, zoti Blinken tha se duhet të zbatohet, për të cilën jemi pajtuar”, tha Escobar.

Takimi i 18 gushtit

Kurti dhe Vuçiq u takuan të enjten e 18 gushtit. Për gati pesë orë, ata qëndruan në një sallë me emisarin evropian, Mirsolav Lajçak dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Në këtë takim nuk u arrit asnjë marrëveshje, ndërkaq Borrell tha se “nuk do të dorëzohet”.

Kurse, populli i Kosovës, vetëm të mërkurën mësoi detaje nga Kurti se çfarë ndodhi në këtë takim.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se në agjendë ishin dy pika kryesore, diskutimi për arritjen e marrëveshjes finale dhe çështet aktuale.

Mes tjerash, kryeministri foli edhe për gjashtë kapitujt e marrëveshjes finale, që sipas tij, janë elaborim i qartë i palës kosovare për kornizën e përgjithshme të saj.

Një takim tjetër i Kurtit me Vuçiq, është raportuar se mund të ndodhë deri më 1 shtator, kur hyn në fuqi vendimi për reciprocitet.

Lajme të ngjashme