Amerika kërkon që Asociacioni të mos krijojë "shtet brenda shtetit": Presim diskutim brenda këtij muaji - NACIONALE

Amerika kërkon që Asociacioni të mos krijojë "shtet brenda shtetit": Presim diskutim brenda këtij muaji

1 javë më parë

nga NACIONALE

I dërguari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur në mënyrë të qartë e të prerë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednica).

Nga ajo që transmeton Radio Evropa e Lirë, Escobar është shprehur se qëndrimi i ShBA-ve ishte që të zbatoheshin të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ai u shpreh se duhet të kishte diskutime shtesë për çështjen e Asociacionit, në mënyrë që të mos shkileshin ligjet.

"Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", deklaroi z. Escobar, sipas Radio Evropës së Lirë.

Ai përsëriti qëndrimin e shprehur nga ambasadori Jeff Hovenier, se duheshin shqyrtar modele të caktuara evropiane për Asociacionin në Kosovë.

Në një intervistë të realizuar gjatë muajit janar, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ishte shprehur po ashtu ngjashëm në lidhje me këtë çështje:

"Ka modele të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje." - kishte thënë ai për transmetuesin publik (RTK).

Ndërkohë, Escobar ka shtuar gjatë bashkëbisedimit se ka shpresë që mund të çështja mund të diskutohet në Bruksel pikërisht gjatë muajit gusht.

"Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji,"

Edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani ka kërkuar nga Qeveria aktuale formimin e një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, ne aq më afër i afrohemi idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriake,” - kishte thënë ai.

Partia në pushtet e ka kundërshtuar ashpër një gjë të tillë, derisa në anën tjetër prej partive opozitare vetëm Lidhja Demokratike (LDK) ka shprehur qëndrim paksa më të moderuar.

Në vitin 2013 ishte arritur Marrëveshja për Asociacionin, duke shkaktuar edhe protesta të mëdha nga Vetëvendosje dhe zemërim të madh qytetar.

Në vitin 2015 ishte nënshkruar një tjetër marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, e cila parashihte edhe dërgimin e këtyre parimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Instanca më e lartë gjyqësore në vend kishte gjetur se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Lajme të ngjashme