Viktimizohet Vuçiq në takim me amerikanët: Kosova s’po respekton marrëveshjet, Asociacioni s’është themeluar ende - NACIONALE

Viktimizohet Vuçiq në takim me amerikanët: Kosova s’po respekton marrëveshjet, Asociacioni s’është themeluar ende

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas Kosovës, delegacioni amerikan në krye me Ndihmës-Sekretaren e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, ka vizituar Serbinë, ku u pritën nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Pos çështjeve aktuale gjeopolitike si agresioni rus në Ukrainë, në këtë takim është diskutar edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës së Presidencës së Serbisë, në këtë takim, bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, por edhe për diversifikimin e burimeve energjetike në Serbi dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në takim, Vuçiq citohet të ketë thënë se bashkëpunimi në rajon është në interes të Serbisë.

Për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe se në këtë kuptim përmirësimi i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe reciprokisht i dobishëm është një pikënisje themelore dhe e pandryshueshme e politikës së jashtme të vendit tonë”.

Vuçiqi ka vënë theks të veçantë në nismën “Ballkani i Hapur”, duke e konsideruar atë si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal dhe luftës për qëllime të përbashkëta.

Ai ka theksuar se “Ballkani i Hapur” është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkim Evropian, por edhe një mundësi për të arritur standardet evropiane përpara se të anëtarësohen, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentit të Serbisë.

Donfried ka përshëndetur nismën e Ballkanit të Hapur dhe synimin e Serbisë për vendosjen e çështjeve ekonomike në fokus të bashkëpunimit rajonal, duke thënë se nisma është një mundësi për të promovuar potencialin investues të rajonit.

Për sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, Vuçiq është shprehur se pala serbe i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina i shmanget zbatimit të obligimeve të saj.

“Pala jonë i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina me këmbëngulje i shmanget zbatimit të obligimeve të saj. Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe Planit të implementimit, nuk ka filluar themelimi i Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka potencuar se “Beogradi është plotësisht i përkushtuar në dialog, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht”.

Viktimizimi i Serbisë nuk është ndonjë fenomen i ri, është traditë. Aleksandar Vuçiq di ta bëjë këtë më së miri. Ndërkohë që nuk vendos sanksione ndaj Ukrainës për të përkëdhelur Rusinë, presidenti serb i ankohet amerikanëve për mosgatishmërinë e Kosovës për një marrëveshje me Serbinë.

Ndërkaq, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Karen Donfired, ka përsëritur edhe gjatë takimit të saj me Vuçiqin deklaratat që i tha dje, gjatë vizitës në Kosovë.

Sipas medieve serbe, Donfried ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të përkushtuara" për anëtarësimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe ka përsëritur se ky është njëri nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndaj rajonit.

Kurse Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, parteritetin e ShBA-së me Serbinë e ka konsideruar si “shumë të rëndësishëm”.

“Partneriteti me Serbinë është shumë i rëndësishëm për ne. Mbërritja e Karen Donfried, Ndihmës Sekretarja së Shtetit, është një tjetër konfirmim i dëshirës për të ndërtuar lidhje më të forta ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Nga vizita e djeshme e Karen Donfried në Kosovë, e nga kjo e sotmja në Serbi, ka rënë në sy thirrja e fuqishme e ShBA-së për riangazhim urgjent në dialog në mes të dy shteteve fqinje.

Pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani, Donfried tha se rifillimi i dialogut me Serbinë është urgjente, duke kërkuar arritjen e një marrëveshje ndërmjet palëve.

Duke treguar qëndrimin e fortë amerikan pro dialogut me Serbinë, ajo tha se status quo-ja sjell të mira vetëm për Rusinë.

Lajme të ngjashme